Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nisur fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën, duke kritikuar ashpër organizatën botërore.
Teksa ka folur për përfundimin e shtatë luftërave gjatë mandatit të tij të dytë, Trumpi ka thënë se OKB-ja nuk ka bërë asgjë për t’i ndalur ato.
Ai madje i ka quajtur Kombet e Bashkuar një organizatë me fjalë të zbrazëta.
"Është shumë keq që më është dashur t'i bëj këto gjëra në vend që t'i bënin Kombet e Bashkuara”, ka thënë Trumpi, në fjalimin e tij të parë para OKB-së që nga viti 2020.
"Mjerisht, në të gjitha rastet, Kombet e Bashkuara as nuk u përpoqën të ndihmonin”, ka shtuar Trumpi.
Ai gjithashtu ka vënë në dukje me përbuzje se dy gjërat që mori nga Kombet e Bashkuara sot ishin: një shkallë lëvizëse e keqe dhe një teleprompter i keq.
Kjo pasi, teksa po hynte në ndërtesën e OKB-së, bashkë me Zonjën e Parë, Melania Trump, nuk funksiononin shkallët lëvizëse.
Gjatë fjalimit të tij, ai ka vazhduar kritikat duke akuzuar OKB-në për lehtësimin e “pushtimit” të vendeve perëndimore nga migrantët.
Trumpi pretendon se OKB-ja po financon një sulm ndaj vendeve perëndimore dhe kufijve të tyre, duke akuzuar organin botëror se u jep karta parash migrantëve që vijnë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.
"OKB-ja supozohet të ndalojë pushtimet, jo t'i krijojë ato dhe jo t'i financojë ato", është shprehur ai.
