Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur zhgënjimin me homologun e tij rus, Vladimir Putinin dhe ka premtuar të dërgojë 10 raketa Patriot në Ukrainë.
Komentet e tij vijnë pak pasi njoftoi të hënën se dërgesat e armëve amerikane do të rifillonin disa ditë pasi ato u ndaluan nga Pentagoni, sipas një zyrtari të njohur me çështjen, raporton The Guardian.
Duke folur në një takim të kabinetit të tij të martën, Trumpi ka thënë se po frustrohej gjithnjë e më shumë me udhëheqësin rus.
"Kemi shumë budallallëqe nga Putini, nëse doni ta dini të vërtetën. Ai është shumë i sjellshëm gjatë gjithë kohës, por rezulton të jetë e pakuptimtë", ka thënë Trumpi.
I pyetur nëse donte të shihte sanksione të mëtejshme kundër Rusisë, Trump u përgjigj: "Po e shqyrtoj."
Të hënën ai ka thënë se ishte "i zhgënjyer" me presidentin e Rusisë dhe do të dërgonte "më shumë armë" në Ukrainë.
"Ne do t'u dërgojmë atyre disa armë të tjera që kemi. Ata duhet të jenë në gjendje të mbrojnë veten. Ata po goditen shumë rëndë tani", është shprehur Trumpi, së bashku me një delegacion amerikan dhe izraelit.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë të martën se ishin mirënjohës për kthesën e madhe të presidentit amerikan, por e përshkruan numrin e raketave Patriot që po i furnizohen Kievit si "të vogël". Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka thënë se po kërkonte të sqaronte detajet.
Në një deklaratë, ministria ka thënë se nuk kishte marrë njoftim zyrtar për ndryshimin e politikës dhe se ishte "jashtëzakonisht e rëndësishme" që Ukraina të ketë "stabilitet, vazhdimësi dhe parashikueshmëri" në furnizimin me armë, veçanërisht me sisteme të mbrojtjes ajrore.
Faqja e internetit amerikane e lajmeve Axios ka raportuar se Trumpi kishte rënë dakord të dërgonte menjëherë 10 raketa Patriot, 20 më pak se totali fillestar që ishte gati për dorëzim javën e kaluar, në një dërgesë që u ndal në kufirin Poloni-Ukrainë.
Premtimi i Trumpit erdhi pas një sulmi ajror shtatëorësh rus të enjten në mbrëmje në Kiev, ku u përfshinë më shumë se 550 dronë dhe raketa balistike. Zyrtarët ukrainas ngurruan të diskutonin rezervat e tyre, por treguan se 10 interceptorët e rinj Patriot do të ishin të mjaftueshëm vetëm për të neutralizuar një sulm të madh ajror gjatë natës.