Botë

Trumpi demanton Kremlinin: Ukraina nuk shënjestroi rezidencën e Putinit

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka thënë të dielën gazetarëve se zyrtarët amerikanë kanë përcaktuar se Ukraina nuk shënjestroi një rezidencë që i përkiste presidentit rus, Vladimir Putin, në një sulm me dron javën e kaluar, duke kundërshtuar pretendimet e Kremlinit se Trumpi e kishte pritur lajmin me shqetësim të thellë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, javën e kaluar ka thënë se Ukraina kishte nisur një valë dronësh në drejtim të rezidencës shtetërore të Putinit në rajonin veriperëndimor të Novgorodit, të cilat sistemet ruse të mbrojtjes kishin arritur t’i mposhtnin.

Lavrov gjithashtu ka kritikuar Kievin për nisjen e sulmit në një moment negociatash intensive për t'i dhënë fund luftës.

Akuza erdhi vetëm një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte udhëtuar për në Florida për bisedime me Trumpin mbi planin 20-pikësh të administratës amerikane që është ende në zhvillim e sipër, i cili synon t'i japë fund luftës. Zelensky e ka mohuar menjëherë pretendimin e Kremlinit.

Ndërkohë, Trumpi ka thënë se "diçka ndodhi afër" rezidencës së Putinit, por zyrtarët amerikanë nuk kishin arritur të përcaktonin se rezidenca e presidentit rus ishte shënjestruar.

"Nuk besoj se ka ndodhur ky sulm”,  u ka thënë Trumpi gazetarëve ndërsa udhëtoi përsëri në Uashington të dielën pasi kaloi dy javë në shtëpinë e tij në Florida. 

"Nuk besojmë se kjo ka ndodhur, tani që kemi qenë në gjendje ta verifikojmë”, ka shtuar ai.  

Presidenti i SHBA-së ka luftuar për të përmbushur një premtim për t'i dhënë fund shpejt luftës në Ukrainë dhe ka treguar acarim si me Zelenskyn ashtu edhe me Putinin, ndërsa u përpoq të ndërmjetësonte një përfundim të konfliktit për të cilin ai mburrej gjatë fushatës zgjedhore se mund ta përfundonte brenda një dite.

Trump dhe Zelensky kanë thënë javën e kaluar se kishin bërë përparim në bisedimet e tyre në vendpushimin e Trump, Mar-a-Lago.

Por Putin ka treguar pak interes për t'i dhënë fund luftës derisa të përmbushen të gjitha objektivat e Rusisë, duke përfshirë fitimin e kontrollit të të gjithë territorit ukrainas në rajonin kyç industrial të Donbasit dhe vendosjen e kufizimeve të rrepta mbi madhësinë e ushtrisë së Ukrainës pas luftës dhe llojin e armëve që ajo mund të zotërojë.