Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Përgjigja e Rusisë ndaj protestave të ukrainasve do të jetë dhuna”

23:45 - Britania: Përgjigja e Rusisë ndaj protestave të ukrainasve do të jetë dhuna

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se ukrainasit në qytetet e pushtuara nga forcat ruse po vazhdojnë të protestojnë kundër kontrollit rus.

Kjo, pavarësisht përpjekjeve ruse për të nënshtruar popullsinë përmes manipulimit të mediave dhe përhapjes së propagandës.

Për shkak të dështimeve të veta, Rusia “me gjasë do të përgjigjet me masa gjithnjë e më të dhunshme dhe kërcënuese”, ka thënë inteligjenca britanike në përditësimin e fundit për situatën në Ukrainë.

Në ditët e fundit një numër protestash kanë ndodhur rreth Ukrainës, përfshirë në Kherson ku turmat janë parë duke ikur nga gazi lotsjellës dhe plumbave të rusëve.

Edhe Banorët e Mariupolit po dërgohen dhunshëm në Rusi Botë Banorët e Mariupolit po dërgohen dhunshëm në Rusi

21:11 - Mariupoli është rrethuar nga të gjitha anët

Forcat ruse fillimisht bënë avancime të shpejta në jug të Ukrainës, me objektivin e tyre kryesor krijimin e një korridori tokësor midis Krimesë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, dhe zonave të mbajtura nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Donetsk dhe Luhansk, raporton BBC të martën.

Duke qëndruar në rrugën për atë objektiv është qyteti port i Mariupolit, i cili është rrethuar nga forcat ruse që nga fillimi i marsit. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se rreth 300,000 civilë kanë mbetur të bllokuar në qytet.

Në hartë, Mariupoli shihet se është rrethuar tërësisht nga forcat ruse.

Image

21:05 - Putini dhe Macroni flasin sërish në telefon

Mediat ruse raportojnë se presidenti rus Vladimir Putin ka folur në telefon me presidentin francez Emmanuel Macron. 

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU. 


19:55 - Rusia shkatërron stacionin e trenit në Ukrainë, vritet një person

Një raketë ruse ka goditur dhe shkatërruar stacionin e trenit Pavlohrad-2 në Pavlohrad, Dnipropetrovsk, ka thënë kreu i Administratës Civile dhe Luftës, Valentin Reznichenko, raporton CNN të martën.

Raketa vrau një person, nxori nga shinat 15 vagonë mallrash dhe shkatërroi një pjesë të rrugës, ka thënë ai. Operimet e stacionet janë suspenduar.

Pavlohradi është një udhëkryq i rëndësishëm për sistemin hekurudhor të Ukrainës.


19:52 - SHBA-ja dhe Perëndimi përgatisin sanksionet e reja ndaj Rusisë të enjten

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimi do të njoftojnë për sanksionet e reja ndaj Rusisë të enjten, pasi pushtimi i Ukrainës po vazhdon, shkruan CNN. 

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU. 


19:39 - Scholz: Sanksionet ndaj Rusisë do të bëhen çdo ditë e më dramatike

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se ndërprerja e furnizimit me energji nga Rusia duhet të jetë e menaxhueshme për vendet evropiane.

Scholz ka thënë se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë po tregojnë efekte, të cilat "do të bëhen më dramatike çdo ditë", raporton CNN. 

“Lufta në Ukrainë mund të jetë një mosmarrëveshje më e gjatë dhe për këtë arsye ne duhet të përballemi së bashku”, ka thënë Scholz në një konferencë për media së bashku me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

 Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


19:15 - Dendias dëshiron ta drejtojë misionin e ndihmës humanitare për Mariupolin

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, ka propozuar të martën që të udhëheqë një mision për ndihmë humanitare në qytetin e rrethuar ukrainas, Mariupol.

"Unë synoj ta drejtoj personalisht këtë ndihmë", ka thënë Dendias në një konferencë për shtyp pas takimit me konsullin e përgjithshëm të Greqisë në Mariupol, Manolis Androulakis, diplomati i fundit i Bashkimit Evropian që u largua nga ky qytet, raporton Reuters.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


18:59 - Rusët bombardojnë spitalin e fëmijëve në Luhansk

Çatia e një spitali të fëmijëve në Severodonetsk, Luhansk, është përfshirë nga zjarri pasi u bombardua nga forcat ruse, ka thënë shërbimi emergjent i Ukrainës të martën.

Shtatë fëmijë dhe 15 të rritur u evakuuan nga spitali.


18:51 - Franca përgatitet të presë rreth 100 mijë refugjatë ukrainas

Franca ka nisur një plan kombëtar për të përgatitur strehim për të paktën 100,000 refugjatë ukrainas, ka thënë kryeministri francez, Jean Castex, para gazetarëve të martën.

"Gjithnjë e më shumë prej tyre po gjejnë strehë në Francë ose po kalojnë tranzit nëpër territorin tonë", ka thënë Castexi, raporton CNN.

Më shumë se 26,000 refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Francë që nga fillimi i luftës, sipas Castexit. Midis tyre, 10.500 kanë përfituar qëndrim të përkohshëm të parashikuar nga politika e mbrojtjes së përkohshme të BE-së, e aktivizuar më 3 mars.

 Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


18:49 - Zelenskyy: Nga Mariupoli s’ka mbetur asgjë, vetëm rrënoja

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë të martën se asgjë nuk ka mbetur nga Mariupoli, vetëm rrënoja.

Këtë deklaratë Zelenskyy e tha në një fjalim virtual në parlamentin italian, pasi Kievi i bëri thirrje Moskës që të lejojë civilët të evakuojnë qytetin e rrethuar.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


18:09 - Rusia po e sulmon Mariupolin nga Deti Azov, thotë zyrtari amerikan

Rusia ka filluar të gjuajë qytetin e Mariupolit nga Deti i Azovit, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes amerikane, i cili ka thënë se po përdorë një grup prej rreth shtatë anijesh për të sulmuar në qytetin e goditur rëndë, raporton CNN të martën.

Zyrtari ka thënë se disa nga anijet mund të jenë granatahedhëse, por disa të tjera janë të luftës që i janë bashkuar sulmit të qytetit për 24 orët e fundit.

“Ne vazhdojmë të vëzhgojmë një numër të forcave ruse brenda qytetit të Mariupolit. Ne mendojmë se të paktën disa nga to janë forca separatiste që kanë ardhur nga Donbasi, dhe sërish, ukrainasit po luftojnë shumë shumë fuqishëm për ta mbajtur Mariupolin nga rrëzimi”.

Zyrtari ka thënë se rusët kanë 21 anije në Detin e Zi, po ashtu.


17:45 - SHBA-ja e NATO të bindura që Bjellorusia do t’i bashkohet Rusisë në luftë kundër Ukrainës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO besojnë se Bjellorusia mund "së shpejti" t'i bashkohet Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, thonë zyrtarët e SHBA-së dhe NATO-s për CNN dhe se vendi tashmë po merr hapa për ta bërë këtë. 

Lajmin e plotë mund ta gjeni KËTU. 


17:08 - SHBA: Forcat ukrainase po luftojnë për ta rimarrë territorin e humbur

Forcat ukrainase po luftojnë për ta rimarrë territorin e humbur, ka thënë një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, të martën, shkruan BBC.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


15:18 - Zelenskyy – Italisë: Mos u bëni resort pushimesh për ata që e nisën luftën në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodomyr Zelenskyy, ka kërkuar të martën më shumë sanksione dhe presion kundër Rusisë, derisa lufta po vazhdon ta shkatërrojë Ukrainën.

Gjatë një adresimi para ligjvënësve italianë, Zelenskyy ka thënë se shumica e atyre që po e drejtojnë luftën ruse në Ukrainë dhe po e promovojnë atë, e shfrytëzojnë Italinë si vend për pushime. Ai ka kërkuar nga ky shtet që të mos pranojë të bëhet resort pushimesh për ta. Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


14:16 -  Treni me 780 persona nga Mariupoli gati të mbërrijë në Lviv

Një tren me qindra njerëz nga qyteti lindor i Mariupolit, është gati të arrijë në qytetin perëndimor Lviv, ka raportuar të martën "The Guardian".

Dhjetëra mijëra njerëz kanë ikur nga bombardimet në ditët e fundit, derisa vlerësohet se rreth 300.000 veta kanë mbetur pa ujë në qytetin afër Detit të Zi.

Ndërkohë, situata në Mariupol është përshkruar si “apokaliptike”.

Sipas Kryqit të Kuq ukrainas, më shumë njerëz pritet të evakuohen dhe të mbërrijnë në Lviv gjatë ditës së mërkurë.

Image
Foto: AP

13:39 - Shpërthime të fuqishme në Kiev

Disa shpërthime të mëdha janë dëgjuar në Kiev, të martën. Një nga shpërthimet ishte aq e fuqishme sa ka ndezur alarmet në qendrën e qytetit ka thënë një dëshmitar, raporton CNN-i.

Këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme, Anton Gerashchenko ka thënë se mbrojtja ajrore ukrainase ka shkatërruar një raketë ruse Tochka dhe se mbetjet e predhës kanë rënë në lumin Dniper.


13:31 - Disa qytete në Ukrainë kanë ushqim edhe për vetëm 3-4 ditë

Disa qytete në Ukrainë kanë ushqim vetëm edhe për 3-4 ditë, ka njoftuar të martën agjencia “Mercy Corps”, e cila ka paralajmëruar se sistemi humanitar në Ukrainë ka rënë tërësisht, raporton CNN-i të martën.

“Një nga shqetësimet tona më të mëdha tani është cenueshmëria e zinxhirit të furnizimit. Ne e dimë se shumica e komunave në zonat që shohin luftime më intensive nuk kanë më shumë se tre deri në katër ditë gjëra thelbësore, si ushqimi”, ka thënë këshilltari i reagimit humanitar të "Mercy Corps" në Ukrainë, Steve Gordon, i cili ndodhet në Kharkiv, vend ky ku po zhvillohen luftimet më të rënda që nga pushtimi rus.

Gordon ka vlerësuar se të paktën 70% e popullatës në Kharkiv dhe Sumy, është tërësisht e varur nga ndihmat.

"Këto janë zona si Sumy, me 800,000 njerëz pothuajse plotësisht të varur tani nga ndihmat e dërguara në baza ditore. Qytetet kanë nevojë për ushqim të paktën për një muaj, të ruajtur në magazina të ndryshme në rast se goditen nga bombardimet”, ka thënë Gordon.


12:56 - KOHA në Ukrainë: Alarme të njëpasnjëshme për rrezikun rus në Lviv

Ekipi i KOHËS po vazhdon të qëndrojë në Ukrainë, në qytetin Lviv. Dhe, siç raporton gazetarja Saranda Ramaj, në mesditën e së martës kanë nisur alarmet e njëpasnjëshme si sinjal për rrezikun që mund të vijë nga bombardimet ruse. Lajmi i plotë dhe pamjet KËTU


12:13 - Shtatë zjarre shpërthejnë pranë Chernobylit, rritet frika e rrezatimit

Edhe SHBA-ja e Britania shpalosin sanksionet, Franca kërkon tërheqjen e Rusisë, Ukraina numëron mbi 50 viktima Botë SHBA-ja e Britania shpalosin sanksionet, Franca kërkon tërheqjen e Rusisë, Ukraina numëron mbi 50 viktima

Zjarre të shumta janë shfaqur pranë termocentralit bërthamor të Chernobylit, ka bërë të ditur të martën parlamenti ukrainas, raporton Sky News.

Ukraina thotë se ato ka të ngjarë të jenë shkaktuar nga granatimet e artilerisë ose zjarrvëniet, në një zonë tashmë të kontrolluar nga forcat ruse.

Shërbimi Shtetëror i Komunikimeve Speciale të Ukrainës ka ngritur shqetësime se tymi i rrezatimit mund të përhapet.

Chernobyli ka qenë në duart e Rusisë nga ditët e para të pushtimit të Ukrainës. Stafi ukrainas i termocentralit ka vënë në dukje kushtet e tmerrshme brenda tij javëve të fundit.


11:59 - Zelenskyy flet me Papën dhe i bën thirrje Vatikanit të ndërmjetësojë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka folur me Papa Françeskun dhe ka sugjeruar që Vatikani duhet të luajë rol në përfundimin e luftës të nisur nga Rusia, raporton BBC-ja të martën.

Lajmi i plotë KËTU.


11:29 - Ukraina akuzon Rusinë për deportim me forcë të mbi 2,000 fëmijëve

Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës, ka thënë se forcat ruse kanë depërtuar dhunshëm 2.389 fëmijë nga Dontesku dhe Luhanski në vende të tjera të Ukrainës, raportoi Sky News të martën.

Lajmi i plotë KËTU 

Image

10:34 - Marrja nën kontroll e Kievit do të ishte vetëvrasje për Rusinë, thotë Ukraina

Një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodomyr Zelenskyy, ka thënë të martën se marrja nën kontroll e Kievit është ende prioriteti i Rusisë.

Por ka thënë se do të ishte vetëvrasje për Moskën zyrtare nëse kjo ndodh, raportoi Sky News të martën.

Këshilltari Oleksiy Arestovych ka thënë se lufta në Ukrainë mund të përfundojë në dy apo tri javët e ardhshme.

Rusia ende nuk ka arritur “të shkelë” në Kiev, pavarësisht bombardimeve të fuqishme afër dhe në këtë qytet, që nga nisja e konfliktit më 24 shkurt.

Inteligjenca britanike ka thënë se forcat ruse “kanë shënuar pak përparim, derisa shumica e tyre kanë ngecur në vend”.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase kanë thënë se Moska po vuan pasojat e mëdha të luftës. Sipas tyre, më shumë se 15.000 ushtarë rusë janë vrarë e qindra tanke e makineri të tjera ushtarake janë shkatërruar.

Image

10:17 - OKB: 3.5 milionë banorë kanë ikur nga Ukraina

Numri i ukrainasve që janë larguar nga shteti i tyre si pasojë e sulmeve ruse, ka arritur në 3,5 milionë, ka bërë të ditur të martën, Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR).

Lajmi i plotë KËTU

10:12 - Rreth 1.000 ndërtesa janë shkatërruar nga bombardimet në Kharkiv

Qyteti i Kharkivit është nën sulmin e ushtrisë ruse.

Afër 1.000 ndërtesa janë shkatërruar si pasojë e bombardimeve ruse, ka njoftuar shërbimi emergjent i Ukrainës, transmeton BBC-ja të martën.

Shumica prej tyre janë ndërtesa të banuara nga civilë.

Forcat ruse kohëve të fundit kanë bombarduar Kharkivin, i cili është vetëm 50 kilometra larg nga kufiri me Rusinë.

Së paku 500 civilë janë vrarë atje, kanë thënë zyrtarët e Ukrainës.


10:08 - Biden: Putini i mbështetur për muri, mund të bëhet më i rrezikshëm

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, deklaroi se presidenti rus, Vladimir Putin është "i mbështetur për muri" dhe se mund të përdorë taktika më të rënda ndaj Ukrainës, raportoi mediumi amerikan NBCNews të martën (22 mars).

“Ai (Putin v.j.) nuk e parashikoi shtrirjen e forcës apo të unitetit tonë. Dhe sa më shumë që shpina e tij është e mbështetur nga muri, aq më e madhe është ashpërsia e taktikave që mund t’i përdorë”, deklaroi presidenti Biden. Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.


09:31 - Fëmijët në Mariupol po vdesin nga dehidratimi

Një banore e Mariupolit, qyteti ukrainas më i sulmuar nga forcat ruse, e ka përshkruar gjendjen në këtë vend si të tmerrshme, të tillë çfarë "fëmijët atje po vdesin nga dehidratimi".

Duke folur të martën për "5 Live Breakfast", raporton BBC-ja, Victoria 27-vjeçare, tha se fëmijët po vdesin në mungesë të ujit dhe të bukës.

"Njerëzit qëndrojnë në bodrum, por kjo nuk është e sigurt. Ata po bombardojnë kështu që bodrumet e forta po shkatërrohen. Ajo thotë se shumë njerëz nuk kanë qasje në ushqim dhe ujë. Tre fëmijë që njoh vdiqën nga dehidratimi. Është shekulli 21 dhe fëmijët po vdesin nga dehidratimi në qytetin tim. Ata po vdesin nga uria po ashtu”, ka thënë ajo.

Victoria ka thënë se ajo nuk ishte në gjendje t’i ndihmonte anëtarët e tjerë të familjes që të largoheshin nga Mariupoli.

"Unë do të qëndroj në Ukrainë dhe do të përpiqem të shpëtoj familjen time në Mariupol. Mariupoli është jeta ime, nuk e kuptoj pse duhet ta lë qytetin tim, vendin tim për shkak të Rusisë”, ka thënë 27-vjeçarja ukrainase pasi është larguar nga qyteti.


08:47 - Rusia po bën përparim të kufizuar në Ukrainë, thotë inteligjenca britanike

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka thënë të martën se trupat ukrainase kanë vazhduar "të zmbrapsin përpjekjet ruse për të pushtuar qytetin jugor të Mariupolit".

Lajmi i plotë KËTU


8:40 - Kërcënojnë ukrainasit: Okupatorë, do t’ju nxjerrim nga toka

Forcat ukrainase nëpërmjet rrjetit social Twitter i kanë paralajmëruar trupat ruse, se nëse nuk largohen nga Ukraina, “do t’i nxjerrim nga toka”.

Në postimin e publikuar të martën (22 mars), Ukraina shkroi se Batalioni i 5-të po i ndjekë rusët nga Chornobaivka, lokalitet ku po zhvillohen luftime të ashpra.

“Okupatorë, do t’ju nxjerrim nga toka. Do të shkatërroheni në ujë, në tokë dhe në qiell. Batalioni i 5-të po ju ndjek”, thuhet në postimin.


08:24 - Zelenskyy ripërsërit: Të gatshëm të heqim dorë nga NATO në këmbim të armëpushimit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka ripërsëritur në një videoadresim të martën, se është i përgatitur të diskutojë mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO në këmbim të një armëpushimi të përhershëm, që përfshin tërheqjen e trupave ruse dhe një garanci për sigurinë e Ukrainës.

Lajmi i plotë KËTU

Image

08:12 - Ushtria ukrainase pretendon se ka rimarrë qytetin afër Kievit, Makariv

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka thënë në njoftimin e fundit, të martën, se trupat ukrainase rikthyen kontrollin mbi qytetin Makariv, 60 km në perëndim të kryeqytetit Kiev.

“Falë veprimeve heroike të mbrojtësve tanë, flamuri shtetëror i Ukrainës u ngrit mbi qytetin e Makariv, armiku është tërhequr”, shkroi ajo në faqen e saj në Facebook.

Aksioni i ushtrisë ukrainase vjen tri ditë pasi një sulm rus me mortaja në qytet vrau shtatë persona, sipas policisë lokale.


08: 07 - Ukraina thotë se 117 fëmijë janë vrarë nga sulmet ruse

Parlamenti ukrainas ka bërë të ditur të martën se 117 fëmijë janë vrarë e 155 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse, që nga 24 shkurti kur ka nisur pushtimi i këtij vendi.

Sipas parlamentit, numri më i madh i fëmijëve të vdekur është regjistruar në kryeqytetin ukrainas, Kiev, pastaj në qytetin juglindor Kharkiv dhe në qytetin verior, Chernihiv.

Kombet e Bashkuara kanë deklaruar të martën se numri i civilëve të vrarë deri tani në Ukrainë është 925, derisa prej tyre fëmijë, sipas OKB-së, janë 75.


08:03 - Rusia ka shtuar praninë ajrore, thotë Ukraina

Forcat ruse kanë "rritur praninë e tyre të aviacionit në hapësirën ajrore të Ukrainës" në 24 orët e fundit, ka bërë të ditur të martën ushtria e Ukrainës, raporton BBC-ja.

“Përveç përdorimit të shumë mjeteve ajrore pa pilot, armiku përdor bombardues, avionë sulmues dhe luftarakë, raketa lundrimi dhe raketa balistike në drejtime të ndryshme”, ka thënë në një deklaratë Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës.

Kjo komandë, të hënën njoftoi se Ukraina shkatërroi një avion rus, dy helikopterë dhe gjashtë dronë.


07: 33 - Trupat ruse kanë rezerva municionesh për vetëm edhe tri ditë, pretendon Ukraina

Në përditësimin e fundit, të martën në mëngjes, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka bërë të ditur se forcat ruse kanë rezerva municionesh dhe ushqimesh për vetëm edhe tri ditë, jo më shumë.

“Forcat ruse kanë tri ditë furnizime me karburant, të cilat plotësohen nga kamionë-cisternë. Ato nuk kanë mundur të plotësojnë nevojat e grumbullimit të trupave. Gjatë 24 orëve të fundit, Forcat Ajrore të Ukrainës kanë goditur nëntë objektiva ajrore ruse - një avion, gjashtë mjete ajrore pa pilot (UAV) dhe dy helikopterë”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie, raporton BBC-ja të martën.

Në Okhtyrka, një qytet i vogël në rajonin Sumy në Ukrainën qendrore, 300 ushtarakë rusë u larguan nga zona e operacionit.

Forcat ukrainase shkatërruan 14 tanke, tetë automjete luftarake të këmbësorisë, dy automjete tërheqëse me shumë funksione, tri sisteme artilerie dhe katër automjete të tjera.


07: 27 - Të paktën 925 civilë të vrarë deri tash në Ukrainë

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar të martën se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, më 24 shkurt, janë vrarë 925 civilë, derisa janë plagosur 1496, raportoi Sky News.

Edhe Ministrat e jashtëm takohen në Kopenhagë për të diskutuar luftën në Ukrainë Botë Ministrat e jashtëm takohen në Kopenhagë për të diskutuar luftën në Ukrainë

Raportohet se të paktën 75 fëmijë janë vrarë, ndërsa 99 janë plagosur.

OKB-ja pranon se numrat e vërtetë të viktimave, të vrarë e të plagosur, ka të ngjarë të jenë shumë më të lartë.