Të paktën 21 persona janë vrarë e dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet e ashpra ruse të enjten në Kiev. Sulmet kanë goditur edhe zyrat e Bashkimit Evropian e disa ambasada të huaja në kryeqytetin ukrainas. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se kjo është përgjigjja e Moskës ndaj përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës
Reuters/BBC - Rusia ka shkundur Kievin me bombardime me dronë dhe raketa në orët e hershme të së enjtes, duke përfshirë një sulm të rrallë në qendër të qytetit. Sulmet e ashpërsuara ruse, sipas emisarit amerikan për Ukrainën, kanë minuar përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për arritjen e paqes.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ky është sulmi i dytë më i madh që Rusia ka bërë në drejtim të Ukrainës që nga nisja e pushtimit në shkurt të vitit 2022. Sipas tij, kjo ka qenë përgjigjja e Moskës ndaj përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se nga këto sulme të paktën 21 persona kanë vdekur, në mesin e tyre katër fëmijë dhe 48 të tjerë janë plagosur. Numri i viktimave mund të rritet teksa ekipet për shpëtim po punojnë në vendngjarje për t’i nxjerrë njerëzit e mbetur nën rrënoja.
“Caqet? Jo ushtarët dhe armët, por zonat e banimit në Kiev – bombardimi i trenave të civilëve, zyrat e Bashkimit Evropian dhe të Britanisë së Madhe dhe civilët e pafajshëm”, ka shkruar emisari amerikan Keith Kellogg në X.
Zelensky ka thënë se nga sulmet janë dëmtuar edhe ambasada të tjera.
“Rusia ka zgjedhur raketat balistike në vend të tavolinës së negocimit”, ka shkruar Zelensky në X duke bërë thirrje për sanksione të reja ndaj Rusisë. “Ka zgjedhur të vazhdojë vrasjet në vend të përfundimit të luftës”.
Sulmet kanë nxitur reagimet e shteteve aleate të Ukrainës që së fundmi kanë shtyrë përpara përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. E këto përpjekje kanë dhënë pak rezultat, pavarësisht takimeve që këtë muaj presidenti Trump mbajti me Putinin e më pas me Zelenskyn. Rusia veçse ka ashpërsuar sulmet dhe ka zgjeruar ofensivën në përpjekje për t’i bërë presion Ukrainës të dorëzojë sa më shumë territor.
Pas sulmit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe liderë të shumtë evropianë reaguan ashpër duke akuzuar Putinin se nuk po do paqe.
“Ky ishte sulmi më vdekjeprurës me dronë dhe raketa në kryeqytet që nga korriku... ishte sulm edhe ndaj delegacionit tonë të BE-së. Sapo fola me zëvendësambasadorin tonë dhe jam e lehtësuar që asnjë nga stafi ynë nuk u lëndua. Rusia duhet të ndalojë menjëherë sulmet e saj ndaj infrastrukturës civile”, ka thënë ajo.
Komisioni Evropian ka thënë se do të thërrasë të dërguarin e Rusisë në Bashkimin Evropian si rezultat i sulmit që dëmtoi kompleksin diplomatik të bllokut në Kiev. Edhe Ministria e Jashtme britanike ka bërë të ditur se ka thirrur ambasadorin e Rusisë në Londër. Kjo ministri ka bërë thirrje që vrasjet dhe shkatërrimi në masë të ndalen.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putin për “sabotazh të shpresës për paqe”. E shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se sulmet e fundit tregojnë se Rusia “ka zgjedhur përshkallëzimin dhe talljen me përpjekjet për paqe”.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë se Rusia ka treguar “sërish fytyrën e saj të vërtetë”. Sipas tij, fakti që objekti i BE-së është goditur në Kiev jep sinjal tjetër të paturpësisë së Kremlinit. E ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka paralajmëruar pasoja ndaj Rusisë, të cilat ka thënë se do të diskutohen gjatë takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Kopenhagë.
“Nuk kemi iluzione se sa shumë Rusia na shqetëson – dhe dëshiron të shqetësojë – sigurinë tonë, dhe në fakt na u desh të shihnim në një mënyrë të tmerrshme përsëri mbrëmë se si Rusia sulmoi dhe bombardoi përsëri Kievin. Civilë vdiqën, fëmijë vdiqën dhe përfaqësia e Bashkimit Evropian u sulmua gjithashtu. Kjo nuk mund të mbetet pa pasoja. Do të duhet të flasim për pasojat gjatë një takimi joformal të ministrave të jashtëm të BE-së në Kopenhagë”, ka deklaruar Wadephul.
Nga ana tjetër, Kremlini ka thënë të enjten se vazhdon të jetë i interesuar për vazhdimin e negociatave për arritjen e fundit të luftës në Ukrainë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se forcat ruse kanë vazhduar të shënjestronin infrastrukturën ushtarake të Ukrainës. Ai ka pretenduar vazhdimisht, pa ofruar asnjë provë, se Rusia nuk shënjestron qëllimisht civilët.
Si përgjigje, Von der Leyen, ka thënë se sulmet megjithatë janë “kujtesë tjetër e zymtë se Rusia nuk do të ndalet para asgjëje për ta terrorizuar Ukrainën, duke vrarë burra, gra dhe fëmijë e madje duke pasur cak edhe BE-në”.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitscho, e ka përshkruar sulmin si më të ashprin në muajt e fundit. E në të gjithë shtetin, Ukraina ka thënë se Rusia ka sulmuar në gjithsej 13 lokacione. Vala e raketave të reja vjen pasi më shumë se 100 mijë shtëpi të ukrainasve mbetën pa rrymë, pasi dronët rusë goditën infrastrukturën energjetike të mërkurën. Rreth 60 mijë konsumatorë të tjerë mbetën pa rrymë në rajonin e Vinnytsias qendrore në sulmet e fundit, sipas zyrtarëve. Forcat ruse kanë qëlluar edhe një anije ushtarake ukrainase, duke vrarë një person e duke plagosur disa të tjerë.
BE-ja veçse ka paralajmëruar pakon e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë. Ursula von der Leyen ka njoftuar se do t’i vizitojë në ditët në vijim shtatë shtetet anëtare të BE-së, që ndajnë kufirin me Rusinë dhe Bjellorusinë. Komisioni Evropian ka thënë se ajo do ta vizitojë Letoninë dhe Finlandën të premten, para se të shkojë edhe në Estoni, Poloni, Bullgari, Lituani e Rumani.
Presidenti Trump ka shpresuar se do ta organizojë një samit me Zelenskyn e Putinin për t’i dhënë fund luftës, por këto përpjekje kanë ngecur. Ai fillimisht takoi Putinin më herët gjatë muajit në Alaskë para se të takonte edhe Zelenskyn e liderë të tjerë evropianë në Washington. Presidenti ukrainas ka mbështetur lëvizjen, por Kremlini ka hedhur poshtë mundësinë e një takimi Putin-Zelensky.
Pavarësisht ngecjeve të fundit, zyrtarët amerikanë do të vazhdojnë përpjekjet dhe do të takohen me përfaqësues ukrainas të premten në New York. Zelensky ka thënë se aty do të diskutohen përbërësit “ushtarakë, politikë e ekonomikë të garancive të sigurisë” për Ukrainën.