Zyrtarë e ligjvënës amerikanë kanë shprehur shqetësim për një takim të muajit të fundit në të cilin përfaqësues të administratës Trump takuan Kirill Dmitrievin, emisarin rus që është nën sanksionet amerikane, për të hartuar planin për t’i dhënë fund luftës, sipas burimeve të “Reutersit”.
Takimi u mbajt në Miami në fund të tetorit. Aty ishte Steve Witkoff, i dërguari special i presidentit Donald Trump, dhëndri i tij Jared Kushner dhe Dmitrievi, që udhëheq Fondin e Investimeve Direkte Ruse, një prej fondeve më të mëdhenj rusë.
Si aleat i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitriev ka pasur rol udhëheqës në bisedimet me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës dhe është takuar me Witkoffin disa herë sivjet. Administrata Trump ka lëshuar leje speciale që t’ia mundësonte hyrjen në SHBA, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë amerikan për agjencinë “Reuters”.
Dmitriev dhe fondi i tij janë në listën e zezë të Qeverisë amerikane që prej vitit 2022, kur Rusia nisi sulmin mbi Ukrainë.
Takimi rezultoi me planin 28-pikësh për t’i dhënë fund luftës, kanë thënë dy burime. Plani, që më herët gjatë javës u bë publik nga mediat amerikane, erdhi si befasi për shumë zyrtarë amerikanë dhe ka nxitur konfuzion nëpër ambasadat në Washington dhe kryeqytetet evropiane. Po ashtu ka nxitur edhe kritika sepse më shumë u përshtatet kërkesave ruse, marrë parasysh se parasheh dorëzim të territoreve të Ukrainës.
Nuk është e qartë nëse Dmitrievi kishte shkuar në Miami me kërkesa të caktuara ruse dhe nëse ato janë përfshirë në plan.
Sipas burimeve, në Miami në fillim të kësaj jave ishte edhe Rustem Umerov, sekretar i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, për të diskutuar për planin me Witkoffin. Thuhet se Witkoffi ka paralajmëruar Umerovin për planin gjatë kësaj vizite. Burimet po ashtu kanë thënë se SHBA-ja ia ka dhënë planin Ukrainës përmes qeverisë turke të mërkurën, para se t’ia prezantonte direkt në Kiev të enjten.
Umerovi e ka përshkruar rolin e tij si “teknik” dhe ka mohuar se ka diskutuar për planin në përmbajtje me zyrtarët amerikanë.
Dmitriev dhe ambasada ukrainase në Washington nuk kanë folur për këtë çështje.