Një sulm ajror izraelit ka vrarë të paktën 28 persona dhe ka lënduar dhjetëra të tjerë në spitalin evropian të Gazës në qytetin e Khan Younis, kanë thënë zyrtarët lokalë, raporton “BBC” të martën.
Avionët ushtarakë të Izraelit lëshuan gjashtë bomba njëkohësisht mbi spitalin, duke goditur si oborrin e brendshëm të tij ashtu edhe zonën përreth.
Në njoftimin e Ushtrisë izraelite, është thënë se “sulmi preciz” ka goditur një bazë të grupit militant palestinez Hamas, duke pretenduar se baza në fjalë ndodhej poshtë spitalit.
Sipas burimeve shëndetësore dhe dëshmitarëve okularë, të vdekurit dhe të lënduarit janë transferuar në spitalin Nasser të Khan Younis.
Izraeli i dha fund armëpushimit me Hamasin në muajin mars dhe i rifilloi operacionet ushtarake që deri më tani kanë lënë të vdekur dhjetëra mijëra persona.
Sipas zyrtarëve izraelitë, rinisja e sulmeve ushtarake ka për qëllim rritjen e presionit ndaj Hamasit në mënyrë që të lirohen të gjitha pengjet e mbajtura në Gaza.
Lufta shpërtheu si pasojë e sulmit të Hamasit në Izrael në tetorin e vitit 2023, i cili rezultoi në vrasjen e afër 1200 personave dhe rrëmbimin e rreth 250 të tjerëve.
Ndërkaq, ofensiva hakmarrëse e Izraelit deri më tani ka vrarë mbi 50,000 njerëz, shifra këto që konsiderohen të besueshme nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.