Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Spanja i dërgon Ukrainës 200 tonë municione dhe furnizime të tjera ushtarake

Spanja ka dërguar rreth 200 tonë automjete transporti dhe municione, ka thënë të enjten kryeministri i këtij vendi, Pedro Sanchez, derisa ka vizituar Kievin.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, Sanchez tha se kjo është dërgesa më e madhe që është bërë deri tani.

“Ky është më shumë se dyfishi i pajisjeve që kemi dërguar deri tash”, ka shtuar Sanchez, raportoi “The Guardian”.

Një anije e marinës spanjolle e ngarkuar me pajisje u nis nga një port në Spanjë të enjten për në Poloni, nga ku ngarkesat do të transportohen në Ukrainë, ka njoftuar më tej kryeministri spanjoll.

Anija bart 30 kamionë, disa mjete speciale të rënda të transportit dhe 10 automjete të vogla të ngarkuara me material ushtarak që do të transferohen në këtë vend.

Sanchez gjithashtu shtoi se Spanja do t'i kërkojë Gjykatës Penale Ndërkombëtare të hetojë krimet e dyshuara ruse të luftës në Ukrainë dhe se planifikon të dërgojë hetues për krimet e luftës atje.