Botë

Shtyhet vendimi nëse do të anulohet dënimi ndaj Trumpit për “paratë e heshtjes”

Donald Trump

Gjyqtari në çështjen kriminale ndaj Donald Trumpit në Manhattan të New Yorkut ka shtyrë marrjen e vendimit nëse do të anulojë dënimin e presidentit të sapozgjedhur, për arsye imuniteti presidencial.

Gjykatësi Juan Merchan u ka thënë avokatëve të Trumpit të martën se ai do ta shtynte vendimin pwr më 19 nëntor, raporton The Guardian.

Shtyrja pasoi pas përpjekjeve të shumta të suksesshme për të vonuar çështjen e tij. Në fillim të këtij viti, ai u shpall fajtor për 34 akuza të falsifikimit të të dhënave të biznesit në një skemë për të ndikuar në zgjedhjet e 2016-ës.

Vendimi erdhi më 31 maj, pas më pak se 12 orësh diskutimesh të jurisë në gjyqin e parë penal të paprecedentë të një presidenti të SHBA-së. Rezultati shënoi një goditje për Trumpin, atëherë kandidati i supozuar republikan presidencial.

Çështja penale e Trumpit portretizoi një njeri që nuk dukej i përshtatshëm për presidencën. Prokurorët thanë se Trumpi regjistroi në mënyrë të rreme rimbursimet që i kishte bërë avokatit të atëhershëm Michael Cohen për një pagesë prej 130,000 dollarësh për yllin e filmave për të rritur, Stormy Daniels, për heshtjen e saj lidhur me aferën që pretendonte se kishte pasur me Trumpin.

Zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, ka thënë se këto falsifikime janë bërë për të fshehur shkeljen e ligjit zgjedhor të shtetit të Nju Jorkut nga Trumpi.

Trumpi parashihej të dënohej më 10 korrik. Mirëpo vendimi ishte shtyrë për në nëntor.