Një gjykatë në Paris ka shpallur të hënën fajtorë 10 persona për ngacmim online ndaj Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, duke përhapur pretendime të rreme në internet rreth gjinisë dhe seksualitetit të saj, dhe duke përfshirë pretendimet se ajo ka lindur burrë.
Gjykata i dënoi të gjithë të pandehurit me dënime që varionin nga një trajnim ndërgjegjësimi për ngacmimin kibernetik deri në dënime me burgim me kusht, me kohëzgjatje prej 8 muajsh.
Gjykata vuri në dukje komentet "veçanërisht degraduese, fyese dhe keqdashëse" që i referoheshin pretendimeve të rreme në lidhje me identitetin e dyshuar transgjinor dhe kriminalitetin e dyshuar pedofilik që synonte Brigitte Macron.
Të pandehurit, tetë burra dhe dy gra të moshës 41 deri në 65 vjeç, akuzohen se kanë postuar "komente të shumta keqdashëse" duke pretenduar në mënyrë të rreme se gruaja e presidentit, Emmanuel Macron ka lindur burrë dhe duke lidhur diferencën e tyre në moshë prej 24 vjetësh me pedofilinë. Disa nga postimet u shikuan dhjetëra mijëra herë.
Brigitte Macron nuk mori pjesë në gjyqin dyditor në tetor. Duke folur në televizionin kombëtar TF1 të dielën, ajo ka thënë se nisi procedurat ligjore për të “dhënë një shembull” në luftën kundër ngacmimit.
Rasti vjen pas viteve të tëra teorish konspirative që pretendojnë rrejshëm se Brigitte Macron ka lindur me emrin Jean-Michel Trogneux, që në fakt është emri i vëllait të saj. Macronët kanë ngritur gjithashtu një padi për shpifje në Shtetet e Bashkuara kundër influencueses konservatore, Candace Owens.
Macronët, të cilët janë të martuar që nga viti 2007, u takuan për herë të parë në shkollën e mesme ku ai ishte nxënës dhe ajo ishte mësuese. Brigitte Macron, 24 vjet më e madhe se burri i saj, atëherë quhej Brigitte Auzière, një nënë e martuar me tre fëmijë.
Emmanuel Macron, 48 vjeç, është president i Francës që nga viti 2017.