Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shkëmbimi i Navalnyt ishte në fazën e fundit para vdekjes së tij

Bashkëpunëtorët e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny kanë thënë të hënën se bisedimet për ta këmbyer atë me një të burgosur rus në Gjermani, ishin duke u zhvilluar pak para vdekjes së tij, ka raportuar Associated Press.

“Alexei Navalny mund të ishte i ulur këtu tani”, ka thënë Maria Pevchikh, e cila jeton jashtë Rusisë. Ajo ka shtuar se kishte marrë një konfirmim që bisedimet ishin “në fazat e fundit” më 15 shkurt, një ditë para vdekjes së tij.

Sipas Pevchikhit, Navalny dhe dy qytetarë të SHBA-së të mbajtur në Rusi, supozoheshin të ndërroheshin me Vadim Krasikovin. Ai po kryente burg të përjetshëm në Gjermani për vrasjen e Zelimkhan “Tornike” Khangoshvilit në vitin 2019 në Berlin, shtetas gjeorgjian 40-vjeçar me prejardhje çeçene.

Pevchikhi ka supozuar se Putini “nuk mund të toleronte” lirimin e Navalnyt dhe vendosi “ta hiqte qafe atë”. Ajo nuk ofroi prova për këtë supozim.

Kur u pyet për deklarimin e bashkëpunëtorëve të Navalnyt në një konferencë shtypi, zëdhënësja e qeverisë gjermane Christiane Hoffman, ka thënë se nuk do të komentonte.