Bisedimet për shkëmbimin e të burgosurve në shumë vende që do ta kishte liruar liderin opozitar rus Alexei Navalny ishin duke u zhvilluar kur ai vdiq në burg muajin e kaluar, në të cilat ishte i përfshirë drejtpërdrejt oligarku rus Roman Abramovich, ka raportuar CNN përmes burimeve.
Negociatat dyvjeçare për lirimin e Navalnyt filluan të ecin përpara kur Abramovichi vizitoi Moskën muajt e fundit.
Propozimi ishte në fazë fillestare, por marrëveshja për lirimin e Navalnyt ishte e mundshme.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton gjithashtu mori pjesë në negociatat për lirimin e Navalnyt.
Abramovich, i cili është sanksionuar nga Perëndimi dhe kalon pjesën më të madhe të kohës në Emiratet e Bashkuara Arabe, u takua me Hillary Clintonin kur erdhi ideja për “shkëmbimin e shtatë të burgosurve”, përfshirë Navalnyn.
Oligarku rus ka mbajtur lidhje me Kremlinin që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës dhe ishte i rëndësishëm në përpjekjet e hershme për të negociuar përfundimin e konfliktit.
Mediat e pavarura ruse raportuan se Abramovichi u takua me presidentin rus Vladimir Putin disa orë përpara se autoritetet e burgut të njoftonin se Navalny kishte vdekur në burgun e largët në Siberi më 16 shkurt.
Bashkëpunëtorja e Navalnyt, Maria Pevchik, ka thënë menjëherë pas vdekjes së tij se Abramovichi iu bashkua negociatave dhe “i dorëzoi një propozim Kremlinit për të shkëmbyer Navalnyn”.
Pevchik deklaroi se Abramovichi veproi si “negociator joformal në komunikim me zyrtarët amerikanë dhe evropianë”.
Më 27 shkurt, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në lidhje me përfshirjen e Abramovichit në negociatat për shkëmbimin e Navalnyt.
Vdekja e Navalnyt ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare. Perëndimi e ka fajësuar Putinin për vdekjen e tij.