Zyra e Prokurorisë shtetërore të Spanjës ka bërë të ditur se ka hapur hetime kundër 700 prefektëve të komunave katalonjase, dhe ka paralajmëruar mundësinë e arrestimit të tyre shkaku i bashkëpunimit në organizimin e referendumit të 1 tetorit për pavarësinë e rajonit, në atë që Madridi zyrtar e quajti votë ilegale, raporton Reuters.
Prokuroria ka urdhëruar 712 prefektë të Katalonjës, të cilët i dolën në mbështetje votimit, që të paraqiten për të dhënë deklarata në gjykatë si të dyshuar zyrtarë për hetimet kriminale, ndërsa nëse nuk i përgjigjen thirrjes do të përballen me arrestime, thuhet në letrën e prokurorisë dorëzuar autoriteteve lokale. Zyrtarët e përfshirë në përgatitjen e votimit mund të përballen me akuza për mosbindje, abuzim detyre dhe keqpërdorim të fondeve publike, thuhet në letër.
Parlamenti rajonal i Katalonjës ka miratuar javën e shkuar ligjet që i hapin rrugën mbajtjes së referendumit të pavarësisë më 1 tetor. Gjykata Kushtetuese e Spanjës e suspendoi votimin, pasi kryeministri, Mariano Rajoy, e sfidoi atë në gjykata, transmeton Koha Ditore.
Gjykatësit aktualisht janë duke shqyrtuar nëse ligjet e miratuara katalonjase përbëjnë shkelje të Kushtetutës së Spanjës, e cila i përcakton rajonet e shtetit si pjesë të pandashme. Qeveria konservatore e Rajoyit është zotuar ta ndalojë mbajtjen e referendumit të Katalonjës, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos marrin pjesë në votimin “ilegal” të 1 tetorit. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).
-
Në Katalonjë mund të ketë protestat të dhunshme
-
Separatistët e Katalonisë gjykohen për referendum për pavarësi, test për drejtësinë spanjolle
-
Madridi nis marrjen e kontrollit në Katalonjë
-
Shtohen tensionet Madrid - Barcelonë para referendumit
-
Policia spanjolle synon bllokimin e qendrave të votimit në Katalonjë