Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Madridi nis marrjen e kontrollit në Katalonjë

Spanja po përgatitet të vërë në zbatim masat ekstreme të kësaj fundjave, të cilat do ta shikojnë Madridin zyrtar të marrë kontrollin e drejtpërdrejtë të Katalonjës e të largojë nga posti presidentin e saj, Carles Puigdemont.

Shkarkimi nuk është problemi i vetëm me të cilin ndeshet firmëtari i deklaratës së Pavarësisë: Puigdemont dhe zyrtarë të tjerë katalanas përballen me akuza penale e ndoshta edhe burgun, një lëvizje kjo që mund të çojë drejt protestash masive.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vendosja e përkohshme e kontrollit të qeverisë qendrore çon drejt zëvendësimit të gati 150 ministrave rajonalë, një pjesë e të cilëve zotohen të vazhdojnë punën e të shpërfillin vendimin e Spanjës, transmeton topchannel.

Si Puigdemont, ashtu dhe zëvendësi i tij Oriol Junqueras e kanë bërë të qartë se nuk pranojnë urdhrat e Madridit dhe thonë se nga zyrat e tyre, do të mund t’i largojnë vetëm qytetarët e Katalonjës.

Ky dhe momenti më i vështirë për liderin katalanas: Nëse refuzon largimin, ai rrezikon prangosjen dhe gjykimin në bazë të akuzave për rebelim. Dënimi maksimal në një rast të tillë është 30 vjet heqje lirie.

Mëngjesin e së hënës, prania policore përpara ndërtesës së qeverisë katalanase, ishte e lartë. Kryeprokurori i Spanjës është duke përgatitur padinë për cilindo zyrtar që supozohet të ketë shkelur ligjet vendase me shpalljen e Pavarësisë pas referendumit të cilësuar të Paligjshëm nga Gjykata e Lartë e Spanjës.

Madridi urdhëroi mbajtjen e zgjedhjeve të reja rajonale në 21 dhjetor, në të cilat Puigdemont mund të kandidojë, por vetëm nëse nuk ka përfunduar ndërkohë prapa hekurave.

Ministri i Jashtëm spanjoll Alfonso Dastis u përpoq të sqaronte se qeveria nuk po përpiqet t’ia heqë katalonjes autonominë, por me veprimet e saj, në fakt po ia rikthen atë.

Lëvizja e Madridit prek rreth 200.000 punonjës të administratës publike në rajon. Përpara ortekut të zhvillimeve që sollën aktivizimin e nenit 155 të Kushtetutës për herë të parë në historinë e vendit, Katalonja kishte nivelin ndoshta më të lartë të vetë-qeverisjes në të gjithë Spanjën.