Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shefi i OKB-së kërkon takime të ndara me Putinin e Zelenskyn

Shefi i OKB-së kërkon takime të ndara me Putinin e Zelenskyn

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka kërkuar takime me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë dhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kiev, për të diskutuar nevojën urgjente për paqe.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, ka thënë se Guterres do të dëshironte “të diskutonte hapat urgjent për të sjellë paqe në Ukrainë dhe për të ardhmen e multilaterizmit të bazuar në Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare”, raportoi CNN-i të mërkurën.

Letra të ndara u janë dërguar të dy presidentëve të martën, ka sqaruar Dujarric, sipas të cilit, Guterres është në pritje të përgjigjeve të dy vendeve.

Dujarric ka thënë se ai do ta shoqëronte Guterresin nëse atij do t’i duhej të udhëtonte në këto dy vende, por nuk ka qenë në gjendje të tregojë se kush tjetër do të shkonte bashkë me ta.

Po ashtu, Dujarric nuk ka treguar nëse Guterres do të shkojë në vetëm njërin shtet, nëse njëri prej presidentëve refuzon takimin.