Botë

SHBA-ja po tërheq një pjesë të trupave nga krahu lindor i NATO-s

Trupat amerikane

Foto: Associated Press

Rumania dhe aleatët e NATO-s janë njoftuar për planet e SHBA-së për të ulur numrin e trupave në krahun lindor të Evropës, përfshirë ushtarët që do të stacionoheshin në bazën ajrore "Mihail Kogalniceanu" të Rumanisë, ka thënë të mërkurën ministria e Mbrojtjes e Rumanisë.

Aleatëve evropianë të Uashingtonit u është thënë më parë nga administrata e presidentit, Donald Trump, se do të duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, ndërsa Shtetet e Bashkuara përqendrohen më shumë në kufijtë e tyre dhe në rajonin Indo-Paqësor.

"Vendimi amerikan është të ndalojë rotacionin në Evropë të një brigade që kishte elementë në disa vende të NATO-s", ka thënë Ministria e Mbrojtjes.

Sipas ministrisë, vendimi ishte i pritshëm duke pasur parasysh ndryshimet në prioritetet e Uashingtonit, por se afërsisht 1,000 trupa amerikane do të vazhdojnë të jenë të stacionuara në Rumani.

"Vendimi gjithashtu mori parasysh se NATO-ja ka konsoliduar praninë dhe aktivitetin e saj në krahun lindor, gjë që i mundëson Shteteve të Bashkuara të përshtasin qëndrimin e tyre ushtarak në rajon", ka shtuar Ministria.

Ajo nuk ka specifikuar se sa trupa amerikane do të tërhiqen.

Pavarësisht shqetësimeve në krahun lindor të NATO-s për zvogëlimin e mundshëm të pranisë së Shteteve të Bashkuara në rajon në një kohë kur Rusia vazhdon të zhvillojë luftë në Ukrainë, Trumpi ka thënë në shtator se Uashingtoni mund të rrisë praninë e trupave në Poloni.