Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja dhe Irani mund t’u kthehen bisedimeve këtë javë në Islamabad

Bisedimet SHBA-Iran

Foto: Associated Press

Ekipet negociuese nga SHBA-ja dhe Irani mund të kthehen në Islamabad këtë javë për të rifilluar bisedimet për përfundimin e luftës, kanë thënë burimet për Reuters të martën, pasi dështimi i negociatave të fundjavës e shtyu Uashingtonin të vendoste një bllokadë ndaj porteve iraniane.

Ndërsa bllokada e SHBA-së ka shkaktuar reagime të ashpra nga Teherani, shenjat se angazhimi diplomatik mund të vazhdojë, ndihmuan në qetësimin e tregjeve të naftës, duke ulur çmimet bazë nën 100 dollarë të martën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bisedimet e nivelit më të lartë midis dy kundërshtarëve që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 përfunduan në kryeqytetin pakistanez pa përparim të shtunën, duke ngritur dyshime mbi mbijetesën e armëpushimit dyjavor që ka edhe një javë për të vazhduar.

Por një burim i përfshirë në bisedime ka thënë të martën se të dy vendet mund të kthehen që në fund të kësaj jave dhe se një ftesëë u është shpërndarë Uashingtonit dhe Teheranit për të dërguar sërish delegacionet e tyre.

“Nuk është caktuar një datë e saktë, por delegacionet po mbajnë të hapur mundësinë për periudhën nga e premtja deri të dielën”, ka thënë një burim i lartë iranian.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Irani kishte kontaktuar të hënën dhe dëshironte të arrinte një marrëveshje, duke shtuar se ai nuk do të miratonte asnjë marrëveshje që do t’i lejonte Teheranit të zotëronte armë bërthamore.

Që nga momenti kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën më 28 shkurt, Irani praktikisht ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit për pothuajse të gjitha anijet përveç atyre të tijat, duke thënë se kalimi do të lejohej vetëm nën kontroll iranian dhe me pagesë. Pasojat kanë qenë të gjera, pasi gati një e pesta e naftës dhe gazit botëror kalonte më parë përmes kësaj rruge të ngushtë ujore.

Si kundërmasë, ushtria amerikane ka thënë nisur të hënën të bllokojë trafikun detar që hyn dhe del nga portet iraniane. Mirëpo Teherani ka kërcënuar të godasë anijet luftarake që kalojnë nëpër ngushticë dhe të hakmerret ndaj porteve të fqinjëve të tij në Gjirin Persik.

Gati 24 orë pas fillimit të bllokadës amerikane, ende nuk ka raportime për veprime të drejtpërdrejta nga Uashingtoni për ta zbatuar atë. Të martën është raportuar të jenë parë katër cisterna të lidhura me Iranin duke kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit, sipas të dhënave të transportit detar, por ato nuk po shkonin drejt apo nga portet iraniane.

Bllokada amerikane ka errësuar më tej perspektivën për sigurinë globale të energjisë dhe furnizimin me një gamë të gjerë mallrash që varen nga nafta.

Aleatët e NATO-s të SHBA-së, përfshirë Britaninë dhe Francën, kanë thënë se nuk do të përfshihen në konflikt duke marrë pjesë në bllokadë, megjithëse kanë ofruar ndihmë për të mbrojtur ngushticën kur të arrihet një marrëveshje.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, do të udhëheqin një videokonferencë të premten për vendet që janë të gatshme të kontribuojnë në një mision mbrojtës shumëpalësh për të rikthyer lirinë e lundrimit në ngushticë kur kushtet e sigurisë ta lejojnë, ka thënë zyra e Macronit.

Kina, blerësi kryesor i naftës iraniane, ka thënë se bllokada e SHBA-së ishte “e rrezikshme dhe e papërgjegjshme” dhe vetëm sa do të përkeqësonte tensionet.

Kërkesat bërthamore mbeten të forta

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance, i cili ka udhëhequr delegacionin amerikan përballë kryetarit të parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, ka thënë për Fox News të hënën se SHBA-ja kishte “bërë shumë përparim” duke komunikuar me Teheranin se ku Uashingtoni “mund të bëjë lëshime” dhe ku do të mbetet i palëkundur.

Ai ka shtuar se Trumpi këmbëngulte që çdo material bërthamor i pasuruar duhet të hiqet nga Irani dhe duhet të krijohet një mekanizëm për të verifikuar që Irani nuk po zhvillon armë bërthamore.

Teherani “u afrua me qëndrimin tonë, prandaj mendoj se mund të themi se kishim disa shenja të mira, por ata nuk u afruan mjaftueshëm”, ka thënë Vance, pa dhënë detaje të tjera.

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

Trumpi thotë se ushtria amerikane ka bllokuar portet iraniane për t’i bërë presion Teheranit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se ushtria amerikane ka filluar një bllokadë të...