Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani thotë se vetëm negociatat mund t’i japin fund konfliktit me SHBA-në

Abbas Araghchi

Foto: Associated Press

Vetëm një “zgjidhje e negociuar” mund t’i japë fund konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka hedhur poshtë publikisht një propozim për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Trumpi u ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se propozimi i Iranit nuk ishte “i pranueshëm” dhe se Teherani zyrtar dëshironte të arrinte një marrëveshje për ta hapur ngushticën për transportin tregtar brenda shtatë ditësh, sepse “po humbasin shumë keq”.

Ndërkohë, në një postim në Telegram, ministri Araghchi ka pranuar refuzimin e Trumpit, por ka thënë se Irani do të priste një përgjigje zyrtare “përfundimtare” nga SHBA-ja.

Ai ka shtuar se presidenti amerikan kishte bërë deklarata kontradiktore edhe në të kaluarën.

Araghchi ka thënë po ashtu se kushtet për hapjen e ngushticës ishin të njëjta me ato të përfshira në një memorandum mirëkuptimi (MOU) mes SHBA-së dhe Iranit, i cili u nënshkrua në qershor.
Irani ka thënë se kishte ngritur çështjen e rihapjes së ngushticës dhe përfundimit të armiqësive gjatë negociatave në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York gjatë javës së kaluar.

Rruga ujore jetike, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me gaz dhe naftë, është mbyllur praktikisht që nga shpërthimi i luftës në shkurt.

“Po e refuzoj marrëveshjen e tyre”, ka thënë Trumpi të shtunën, duke shtuar se SHBA-ja tashmë kishte “kontroll të plotë” mbi ngushticën, ndërsa përmes saj po kalonin “sasi të mëdha nafte”, duke shkaktuar rritje të mëdha të çmimeve globale të naftës dhe rritje të ndjeshme të kostove të karburantit për konsumatorët.

Ndërkohë, presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i cili ka udhëtuar drejt New Yorkut për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, i ka thënë CBS-së, se “mosbesimi i krijuar nga kjo luftë duhet të kapërcehet” në mënyrë që bisedimet të kenë sukses.

Ai ka deklaruar se iranianët ishin të hapur për bisedime mbi zbatimin me faza të memorandumit të mirëkuptimit, në mënyrë që të tejkalohej ngërçi, por se “SHBA-ja duhet të tregojë se nuk ka ndërmend të përmbysë qeverinë tonë”.

Pezeshkian tha se ishte takuar dy herë me Udhëheqësin Suprem, duke i thënë CBS-së se ai “nuk ka ndonjë problem apo sfidë të veçantë shëndetësore aktuale” dhe se kishte qenë në gjendje të zhvillonte shtatë orë bisedime.

Omani, i cili ka vepruar si ndërmjetës mes SHBA-së dhe Iranit, u bëri thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë dialogun e hapur për zgjidhjen e krizës.