Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se ushtria amerikane ka filluar një bllokadë të porteve iraniane si pjesë e përpjekjes së tij për ta detyruar Teheranin të hapë Ngushticën e Hormuzit dhe të pranojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që ka zgjatur për më shumë se gjashtë javë.
Irani u përgjigj me kërcënime ndaj të gjitha porteve në Gjirin Persit dhe Gjirin e Omanit, duke marrë në shënjestër vendet aleate të SHBA-së.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë paktën dy cisterna që po i afroheshin ngushticës të hënën u kthyen mbrapsht menjëherë pasi filloi bllokada amerikane, tha gjurmuesi i anijeve MarineTraffic në një postim në X.
Agjencia britanike e Operacioneve të Tregtisë Detare tha se bllokada kufizonte “tërë vijën bregdetare të Iranit, përfshirë portet dhe infrastrukturën energjetike”. Njoftimi i saj për detarët theksonte se kalimi përmes ngushticës drejt ose nga vende jo-iraniane nuk raportohej të ishte penguar, megjithëse anijet “mund të hasin praninë ushtarake”.
Bllokada amerikane dhe kërcënimet e Iranit për hakmarrje krijuan një përballje të jashtëzakonshme që paraqet rreziqe serioze për ekonominë globale dhe ngre shqetësimin se armëpushimi mund të prishet dhe luftimet të rifillojnë. Bisedimet për t’i dhënë fund përfundimisht konfliktit, i cili filloi më 28 shkurt me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, nuk arritën një marrëveshje gjatë fundjavës së kaluar.
Trump thotë se bllokada ka filluar
“Nuk mund të lejojë që një vend të shantazhojë ose të zhvatë botën, sepse kjo është ajo që po bëjnë”, tha Trumpi për Iranin në Shtëpinë e Bardhë, ku njoftoi se bllokada kishte nisur.
Ai la të kuptohet se SHBA-ja mbetet e gatshme të angazhohet me Iranin.
“Mund t’ju them se pala tjetër na ka kontaktuar”, tha Trumpi, duke shtuar se “ata duhet të bëjnë një marrëveshje”.
Diskutimet mes SHBA-së dhe Iranit për një raund të dytë negociatash ballë për ballë janë në zhvillim, thanë të hënën dy zyrtarë amerikanë dhe një person i cili ka njohuri mbi zhvillimet në negociatat mes dy palëve. Një diplomat nga një prej vendeve ndërmjetësuese tha se Teherani dhe Washingtoni kanë rënë dakord për më shumë bisedime.
Katër anije të lidhura me Iranin kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit
Të dhënat e gjurmimit të analizuara nga BBC Verify tregojnë se katër anije të lidhura me Iranin kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht se bllokada detare e shpallur nga Washingtoni ka filluar.
Dy nga këto anije kishin vizituar porte iraniane, sipas MarineTraffic. Të dhënat e saj tregojnë se një anije transportuese e mallrave të thata, Christianna, kaloi ngushticën të hënën pasi kishte ndaluar në portin iranian Bandar Imam Khomein.
Anija Rich Starry, e sanksionuar nga SHBA-ja dhe që raporton se po transportonte mallra, lundroi drejt lindjes nga Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe, përmes ngushticës gjatë natës, sipas të dhënave.
Cisterna Murlikishan, gjithashtu nën sanksione amerikane, u nis nga Lashan në Kinë dhe u drejtua drejt perëndimit përmes ngushticës gjatë natës. Sipas MarineTraffic, pozicioni i saj i fundit i raportuar ishte në lindje të ishullit iranian Qeshm.
Një tjetër cisternë, Elpis, kaloi ngushticën duke u drejtuar nga lindja të martën, pasi kishte ardhur nga porti iranian i Bushehrit, sipas të dhënave të gjurmimit. Ajo është gjithashtu nën sanksione amerikane dhe destinacioni i saj është i panjohur.
Është e mundur që këto anije të kenë transmetuar qëllimit pozicione të rreme, një praktikë e njohur si “spofing” për të fshehur vendndodhjen e tyre reale.
Ushtria amerikane ka deklaruar se duke filluar nga ora 14 të hënën do të bllokojë “të gjithë trafikun detar që hyn dhe del nga portet iraniane”. Ajo gjithashtu theksoi se nuk do të pengojë lirinë e lundrimit për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit drejt dhe nga porte jo-iraniane.
Pakistani: SHBA-ja dhe Irani të kthehen në negociata para përfundimit të armëpushimit
Pakistani ka propozuar mbajtjen e një raundi të dytë bisedimesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Islamabad në ditët në vijim, përpara përfundimit të armëpushimit, thanë dy zyrtarë pakistanezë, shkruan AP.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të diskutonin çështjen me mediat, thanë se propozimi do të varet nga fakti nëse palët do të kërkojnë një vendndodhje tjetër.
Njëri prej zyrtarëve tha se, megjithëse përfunduan pa një marrëveshje, bisedimet e para ishin pjesë e një procesi diplomatik në vazhdim dhe jo një përpjekje e vetme.