Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja, Britania e Australia me plan për flotë bërthamore

SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Australia kanë zbuluar detaje të planit të tyre për të krijuar një flotë të re nëndetësesh me energji bërthamore, që synon të kundërshtojë ndikimin e Kinës në rajonin Indo-Paqësor.

Sipas Paktit Aukus, Australia do të marrë nëndetëset e saj të para me energji bërthamore - të paktën tri sosh – nga Shtetet e Bashkuara.

Aleatët do të punojnë gjithashtu për të krijuar një flotë të re duke përdorur teknologjinë më të avancuar, duke përfshirë reaktorët “Rolls-Royce” të prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Pekini ka kritikuar ashpër marrëveshjen e rëndësishme detare. Ministria e saj e Jashtme akuzoi të martën tri shtetet se "ecin gjithnjë e më tej në rrugën e gabimit dhe rrezikut".

Misioni i Kinës në OKB kishte akuzuar më herët gjithashtu aleatët perëndimorë për frenim të përpjekjeve për mospërhapjen e armëve bërthamore.

Por presidenti amerikan, Joe Biden, tha se marrëveshja kishte për qëllim forcimin e paqes në rajon dhe theksoi se nëndetëset do të jenë "me energji bërthamore, jo të armatosura me armë bërthamore".