Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja pozicionon një nëndetëse të armatosur bërthamore në Korenë e Jugut

Shtetet e Bashkuara kanë pozicionuar një nëndetëse të armatosur bërthamore në Korenë e Jugut për herë të parë në katër dekada, pasi aleatët paralajmëruan Korenë e Veriut se çdo përdorim i armëve bërthamore të Veriut në luftime do të rezultonte në fundin e regjimit të saj, raporton agjencia AP.

Zyrtarët e Koresë së Jugut dhe të SHBA-së mbajtën takimin inaugurues të Grupit Konsultativ Bërthamor në Seul për të diskutuar mënyrat për ta forcuar parandalimin kundër kërcënimeve bërthamore të Koresë së Veriut.

Ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut kanë shkaktuar urgjencë të re pasi ajo kërcënoi të përdorte armë bërthamore në konfliktet me rivalët e saj dhe kreu rreth 100 prova raketore që nga fillimi i vitit të kaluar.

Javën e kaluar, Koreja e Veriut kreu një test të dytë të një rakete balistike ndërkontinentale të fuqishme, e projektuar për ta goditur territorin e Shteteve të Bashkuara. Pas vëzhgimit të atij lëshimi, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un u zotua të forcojë më tej aftësitë luftarake bërthamore të vendit të tij.