Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Së paku 1000 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në Sudan

Sudan

Foto: AP

Së paku 1000 persona kanë vdekur si pasojë e rrëshqitjes së dheut në malet Marra në perëndim të Sudanit. 

Shifrat janë dhënë nga grupi i armatosur Lëvizja Çlirimtare e Sudanit i cili kontrollon zonën e prekur nga rrëshqitja e dheut.

Ndërkaq një zyrtar i OKB-së i ka thënë BBC-së se nga rrëshqitja e dheut kanë vdekur 370 persona. 

Antoine Gérard, zëvendëskoordinatori humanitar i OKB-së për Sudanin, ka theksuar se ishte e vështirë të vlerësohej shkalla e fatkeqësisë ose numri i saktë i të vdekurve, pasi ishte shumë e vështirë për të arritur në zonë. 

Ditë të tëra shiu të rrëmbyeshëm shkaktuan rrëshqitjen e dheut të dielën, e cila la vetëm një të mbijetuar dhe rrafshoi pjesën më të madhe të fshatit Tarasin, njoftoi grupi në një deklaratë, shkruan BBC. 

Edhe “Nuk mund të fshihesh nga një sulm me dronë”: Terrori nga qielli në Sudan Botë “Nuk mund të fshihesh nga një sulm me dronë”: Terrori nga qielli në Sudan

Lëvizja Çlirimtare e Sudanit ka bërë thirrje për ndihmë humanitare nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

“Shpërndarja e shpejtë e ndihmës në zonë do të jetë e vështirë”, tha Gérard.

VIDEO:

Shumë banorë nga shteti i Darfurit të Veriut kishin kërkuar strehim në rajonin e maleve Marra, pasi lufta midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) i detyroi ata të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Guvernatori i Darfurit, i lidhur me ushtrinë, Minni Minnaëi, e quajti rrëshqitjen e dheut një “tragjedi humanitare”.

“U bëjmë thirrje organizatave ndërkombëtare humanitare që të ndërhyjnë urgjentisht dhe të ofrojnë mbështetje dhe ndihmë në këtë moment kritik, sepse tragjedia është më e madhe se ajo që populli ynë mund të durojë i vetëm”, tha ai në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve AFP.

Lufta civile që shpërtheu në prill 2023 midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së e ka zhytur vendin në uri dhe ka çuar në akuza për gjenocid në rajonin perëndimor të Darfurit.

Vlerësimet për numrin e të vdekurve nga lufta civile ndryshojnë, por një zyrtar amerikan vitin e kaluar vlerësoi se deri në 150,000 njerëz ishin vrarë që nga fillimi i konfliktit në vitin 2023. Rreth 12 milionë persona janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Edhe OKB: Mbi 6 mijë të vrarë në tre ditë nga ofensiva e forcave paraushtarake në Sudan Botë OKB: Mbi 6 mijë të vrarë në tre ditë nga ofensiva e forcave paraushtarake në Sudan

Fraksionet e Lëvizjes Çlirimtare të Sudanit, e cila kontrollon zonën ku ndodhi rrëshqitja e dheut, janë zotuar të luftojnë përkrah ushtrisë sudaneze kundër RSF-së.

Shumë darfurianë besojnë se RSF-ja dhe milicitë aleate kanë zhvilluar një luftë që synon transformimin e rajonit etnikisht të përzier në një territor të sunduar nga arabët.