Forcat ruse kanë lëshuar bomba të fuqishme rrëshqitëse dhe dronë, mbi qytetin e dytë më të madh të Ukrainës në sulmet gjatë natës, duke goditur një spital dhe duke plagosur shtatë persona, ka thënë një zyrtar të martën.
Sulmi vjen teksa ndihma ushtarake evropiane për Kievin ka rënë ndjeshëm dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po përgatitet t’i kërkojë presidentit të SHBA-së, Donald Trump raketa me rreze të gjatë veprimi "Tomahawk".
Nga sulmi rus ndaj Kharkivit në verilindje të Ukrainës është goditur spitali kryesor i qytetit, duke detyruar evakuimin e 50 pacientëve, ka thënë kreu rajonal, Oleh Syniehubov.
Presidenti Zelensky ka thënë se caqet kryesore të sulmit ishin objektet e energjisë.
"Çdo ditë, çdo natë, Rusia godet termocentralet, linjat e energjisë dhe objektet tona (të gazit natyror)", ka shkruar Zelensky në Telegram.
Sulmet ruse me rreze të gjatë veprimi në rrjetin elektrik të fqinjit të saj janë pjesë e një fushate që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë në shkurt 2022, për të pamundësuar furnizimin me energji të Ukrainës, duke u mohuar civilëve ngrohjen dhe ujin e rrjedhshëm gjatë dimrit të acartë.
Udhëheqësi ukrainas u ka bërë thirrje vendeve të huaja të ndihmojnë në zbutjen e sulmeve me rreze të gjatë veprimi të Rusisë duke siguruar më shumë sisteme mbrojtëse ajrore për vendin, i cili është pothuajse sa madhësia e Teksasit dhe është i vështirë për t’u mbrojtur nga ajri në tërësinë e tij.
Ai pritet të takohet të premten me Trumpin në Uashington.