Botë

Putini thotë se nuk i pengon anëtarësimi i Ukrainës në BE

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia nuk e ka kundërshtuar kurrë anëtarësimin e Ukrainës në BE.

Këtë deklaratë ai e ka bërë gjatë një takimi me kryeministrin sllovak, Roberto Fico në Pekin.

Në komentet e tij, Putini ka thënë se Moska nuk e kishte kundërshtuar kurrë anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian, teksa ka hedhur poshtë pretendimet se Moska po planifikonte të sulmonte Evropën, raporton CNN.

Ai ka thënë se me zgjerimin e NATO-s drejt lindjes, aleanca donte të përvetësonte të gjithë hapësirën post-sovjetike dhe Rusia thjesht duhej të mbronte interesat e saj. 

Putini gjithashtu ka përsëritur se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ishte i papranueshëm për Rusinë. 

Ndërkaq në një deklaratë të mëparshme, Fico ka folur për kritikat me të cilat po përballet nga vendet e tjera të BE-së për pjesëmarrjen e tij, si i vetmi udhëheqës i BE-së në paradën e Ditës së Fitores në Moskë në muajin maj, por ka theksuar se donte të tregonte respektin e tij për të gjitha viktimat e Luftës së Dytë Botërore. 

Fico ka theksuar angazhimin e Sllovakisë ndaj BE-së, por është ankuar se nuk i kuptonte disa nga vendimet e saj. 

Në komentet e tij, ai ka nxitur normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Rusinë dhe ka kritikuar Ukrainën për sulmet ndaj infrastrukturës kritike të gazit që transporton gazin rus në Sllovaki dhe Hungari. Ai gjithashtu ka përsëritur qëndrimin e tij të kahershëm se Ukraina nuk duhet të lejohet të anëtarësohet në NATO.