Botë

Prokurorët thonë se Trumpi tentoi “të korruptojë” për zgjedhjet e vitit 2016

Donald Trump ne sallen e gjyqit

Foto: Associated Press

“Ishte e planifikuar, një konspiracion për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016, për të ndihmuar Donald Trumpin që të zgjidhej nëpërmjet shpenzimeve ilegale për t’i heshtur njerëzit që kishin gjëra të këqija për të thënë për sjelljen e tij”, ka thënë prokurori Matthew Colangelo. “Ishte mashtrim zgjedhor, pastër e qartë”.

Donald Trump ka tentuar të ndikojë ilegalisht në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, duke parandaluar që të publikohej një storie dëmtuese për jetën e tij personale, kanë thënë prokurorët të hënën në fillim të seancës gjyqësore ndaj ish-presidentit të SHBA-së, në rastin për pagim të parave për heshtje. 

“Ishte e planifikuar, një konspiracion për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016, për të ndihmuar Donald Trumpin që të zgjidhej nëpërmjet shpenzimeve ilegale për t’i heshtur njerëzit që kishin gjëra të këqija për të thënë për sjelljen e tij”, ka thënë prokurori Matthew Colangelo. “Ishte mashtrim zgjedhor, pastër e qartë”. 

Avokati i Trumpit kundërshtoi këto akuza. 

“Presidenti Trump është i pafajshëm. Presidenti Trump nuk ka kryer asnjë krim. Zyra e prokurorit të qarkut të Manhattanit kurrë nuk duhej ta sillte këtë rast”, ka thënë avokati Todd Blanche. 
Të hënën palët bënë deklaratat hapëse në rastin penal ndaj Trumpit, që është rasti i parë penal i ngritur ndaj një ish-presidenti të SHBA-së. 

Trump po akuzohet për mashtrim financiar, në lidhje me një pagesë që pretendohet se i ka bërë aktores së filmave për të rritur Stormy Daniels, që ajo të mos dilte publikisht lidhur me lidhjen që pretendohet se kishte me Trumpin. 

Është një prej katër rasteve me të cilat po përballet Trumpi. 

“I akuzuar, Donald Trump, ka orkestruar një skemë kriminale për të korruptuar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Më pas ai e mbuloi atë konspiracion kriminal duke gënjyer në të dhënat financiare të tij në New York dhe atë vazhdimisht”, ka thënë Colangelo. 

Gjykimi, që pritet të zgjasë të paktën dy muaj, do të kërkojë që Trump t’i kalojë ditët e tij në sallën e gjyqit në vend se të jetë nëpër fushatë, ku ai pritet të jetë përballë Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. 

Trump u ankua pasi doli të hënën nga salla e gjyqit. 

“Jam kandidati kryesor...dhe kjo është arsyeja pse ata po përpiqen të më largojnë nga rruga”.
Megjithatë, Trump ka zgjedhur që ta kthejë statusin e tij si një i pandehur në rast penal, në një “pasuri” për fushatën e tij. 

Në javët në vijim, çështja do të testojë aftësitë e jurisë për të gjykuar në mënyrë të paanshme, por edhe aftësinë e Trumpit për t’u pajtuar me protokollin e sallës së gjyqit, përfshirë edhe një urdhër për ta ndaluar sulmin ndaj dëshmitarëve. 

Trump përballet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, një akuzë e dënueshme deri në 4 vjet burgim. Por, nuk është e qartë nëse do të kërkohet burgimi i tij. Trump vazhdimisht ka mohuar akuzat. 

Deklaratat hapëse kanë shërbyer si një hyrje për rastin, ku përfshihen persona të shumtë. Trump akuzohet se kishte paguar aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels, 130 mijë dollarë, që ajo të mos dilte publikisht për lidhjen që kishin pasur. 

Prokurorët thonë se avokati Michael Cohen pagoi paratë dhe më pas Trump ia kompensoi ato pasi u zgjodh president. 

David Pecker, që kishte pranuar të kishte rolin e “syve dhe veshëve” të fushatës së Trumpit u paraqit si dëshmitar i parë i prokurorisë të hënën. 

Pecker do të paraqitet edhe të martën. Gjykata do të dëgjojë argumentet të martën nëse Trump ka shkelur një urdhër të gjykatësit Juan Merchan, duke postuar një seri postimesh në “Truth Social” javën e kaluar, për dëshmitarët.