Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka thënë se do të ngrejë padi ndaj një burri që e ngacmoi gjatë një paraqitjeje publike.
Pamjet e incidentit të së martës, të filmuara me telefon celular, tregojnë Sheinbaum duke folur me një grup mbështetësish në një rrugë pranë Pallatit Kombëtar, në Mexico City.
Në video, një burrë i afrohet asaj nga pas dhe përpiqet ta puthë në qafë dhe t'i vendosë duart në trup, raporton BBC.
Sheinbaum është larguar shpejt dhe një anëtar i ekipit të saj ka ndërhyrë, por ajo ishte dukshëm e tronditur. Shkelësi është arrestuar.
"Pikëpamja ime është se, nëse nuk paraqes një padi, çfarë do të ndodhë me gratë e tjera meksikane?Nëse ia bëjnë këtë presidentes, çfarë do të ndodhë me të gjitha gratë në vendin tonë?", ka thënë Sheinbaum në një konferencë për shtyp të mërkurën.
"Vendosa të ngre padi sepse kjo është diçka që e kam përjetuar si grua dhe që ne si gra e përjetojmë në vendin tonë. E kam përjetuar më parë, kur nuk isha presidente, kur isha studente”, ka shtuar ajo.
Ajo ka thënë se kishte vendosur ta padiste të dyshuarin pasi ai dyshohet se kishte ngacmuar gra të tjera në turmë.
Grupet e të drejtave të grave dhe komentueset feministe kanë thënë se incidenti tregon mentalitetin e rrënjosur në shoqërinë meksikane, ku një burrë beson se ka të drejtë t'i drejtohet edhe presidentes nëse ajo është grua.
Vrasja e grave është gjithashtu një problem i madh në Meksikë, me një shifër marramendëse prej 98% të vrasjeve me bazë gjinore që vlerësohet se mbeten të pandëshkuara.
Sheinbaum premtoi ta trajtojë çështjen si kandidate, por deri më tani në administratën e saj nuk ka pasur ndonjë përmirësim të dukshëm në këtë fushë.