Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radek Sikorski, ka thënë të mërkurën se do të urdhërojë mbylljen e konsullatës së fundit ruse që ende vepron në vend, pasi autoritetet arritën në përfundimin se dy qytetarë ukrainas që punojnë për Moskën dyshohen për hedhjen në erë të një linje hekurudhore në Poloni.
Sikorski ka thënë se e kishte paralajmëruar vazhdimisht Rusinë se prania e saj diplomatike dhe konsullore do të reduktohej më tej nëse nuk do të ndalonte veprimet armiqësore kundër Polonisë, raportoi agjencia polake e lajmeve PAP.
"Në lidhje me këtë, megjithëse nuk do të jetë përgjigjja jonë e plotë, kam vendosur të tërheq pëlqimin për funksionimin e konsullatës së fundit ruse në Gdansk", ka thënë ai.
Ai ka shtuar se Rusia do të njoftohet për këtë edhe zyrtarisht brenda disa orësh.
Mbyllja do ta lërë Rusinë vetëm me ambasadën e saj në Varshavë.
Kryeministri Donald Tusk e ka përshkruar shpërthimin e fundjavës në një linjë që lidh kryeqytetin e Polonisë, Varshavën, me kufirin me Ukrainën si një "akt sabotimi të paparë".
Të hënën, Tusk i ka thënë parlamentit polak se dy të dyshuarit kishin bashkëpunuar me shërbimet sekrete ruse për një kohë të gjatë.
Ai ka shtuar se identitetet e tyre ishin të njohura, por nuk mund të zbuloheshin për publikun për shkak të hetimit në vazhdim, dhe se dyshja ishte larguar tashmë nga Polonia, duke kaluar në Bjellorusi.