Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Barcelona përpiqet të riorganizohet pas dy humbjeve rresht

barca

Në fillim të edicionit, Barcelona pati ecuri të shkëlqyer, duke fituar me lehtësi në Ligën e Kampionëve dhe në la Liga.

Megjithatë, kur u përball me testet më të vështira deri më tani, klubi katalunas hasi në vështirësi. Pësoi 4:2 nga PSG-ja në Champions dhe 2:1 nga Real Madridi në “El Clasico”. Dy humbjet erdhën javën e kaluar.

Përnjëherë Barcelona nuk i ngjante skuadrës që deri në atë moment ishte dominuese në Evropë.

“Në ndeshjet e mëdha detajet janë thelbësore. Dhe këtë herë nuk ishin në anën tonë”, deklaroi trajneri Hansi Flick pas humbjes nga Real Madridi.

“Humbjet janë pjesë e futbollit. Duhet të analizojmë se çka ndodhi dhe të përmirësohemi. Kjo është ajo që do të bëjmë”.

Barcelona i fitoi 11 ndeshjet e para të edicionit. I shënoi 48 gola dhe i pranoi 11. I shënoi të paktën tre gola në dhjetë prej këtyre ndeshjeve. Barça kishte avantazh të sigurt në kampionatin spanjoll dhe ishte në krye edhe në Champions.

Humbja nga PSG-ja, në të cilën ndeshje Barcelona nuk luajti keq por megjithatë nuk shmangu humbjen, e la ekipin në vendin e tetë pas tri xhirove të fazës së ligës në Champions. Është vendi i fundit që siguron avancimin direkt në një të tetën e finales. 

Fitorja të dielën do t’i mundësonte skuadrës së Flickut që të bëhej e para që fiton dhjetë ndeshjet e para në La Liga në histori. Por kjo nuk u arrit.

“Ajo që ka rëndësi tani është se si reagojmë”, ka thënë Flick.

“Duhet të rifokusohemi. Të gjithë duhet të marrim vendimet e duhura. Të pushojmë si duhet, të ushtrojmë mirë dhe të përgjigjemi pas këtyre humbjeve”, ka shtuar Flick.

Barcelona të shtunën luan ndaj Alavesit në La Liga, ndërsa javën e ardhshme luan me Aston Villan në Champions. Të dy ndeshjet i ka në shtëpi.

Ylli i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, nuk shfaqi më të mirën ndaj Real Madridit. Ai humbi edhe një mundësi të mirë shënimi.

“Në përgjithësi nuk kemi luajtur mirë. Nuk ishim vetvetja në pjesën e parë. Ka shumë gjëra që kemi mundur t’i bëjmë më mirë”, ka thënë mesfushpori i Barcelonës, Pedri.