Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Flick e shndërroi Barcelonën në skuadër dominante në La Liga

Hansi Flick

Në Spanjë ka pasur gara për titull shumë dramatike, luhatje të momentit dhe dështime të vona. Gara e këtij edicioni nuk ishte e tillë.

Fitorja 2:0 ndaj Real Madridit, të dielën, bëri që Barcelona ta siguroi titullin në skenar perfekt: në shtëpi, kundër rivalit më të madh dhe me diferencë prej plot 14 pikësh.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“El Clasico” e së dielës u bë e para pas gati 100 vjetësh që vendosi përfundimisht se kush e fiton ligën. Është një titull që trajneri i Barçës, Hansi Flick, e ka fituar në dy edicionet në krye të skuadrës.

Bilanci maksimal në shtëpi

Skuadra e Flick ishte e pandalshme që nga shkurti dhe ka fituar 11 ndeshjet e fundit. Ka humbur vetëm katër ndeshje në ligë dhe ka bilanc prej 100 për qind në ndeshjet në shtëpi, në La Liga.

Barcelona e kaloi zhgënjimin që solli eliminimi në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit dhe në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Por asnjëherë nuk hoqi dorë nga kontrolli i garës për titullin e La Ligas.

Barça ka fituar 42 nga 53 ndeshjet e këtij edicioni. Vetëm Bayerni mund të ketë përqindje më të lartë të fitoreve nga të gjitha skuadrat në top-pesë ligat. Bayerni po ashtu është ekipi i vetëm që ka shënuar më shumë se Barcelona këtë edicion.

Kur gjermani Flick mori drejtimin e Barcelonës në maj të vitit 2024, Reali kishte fituar Ligën e Kampionëve dhe La Ligan dhe po ashtu kishte afruar Kylian Mbappen në një skuadër edhe ashtu plot me yje.

Por brenda dy vjetëve, Barcelona i fitoi pesë trofe vendorë nga gjashtë të mundshëm. Që nga ardhja e Flick te Barça, Reali nuk e ka fituar asnjë trofe.

Ndikimi i Flick te lojtarët

Arsyeja kryesore për dominimin e Barcelonës ishte ndikimi që Flick kishte te lojtarët dhe mënyra se si ata përdoren brenda sistemit.

Trajneri gjerman e riformësoi skuadrën që kur mbërriti, duke futur disiplinë, duke rritur intensitetin fizik të skuadrës dhe duke rivendosur identitet sulmues më direkt.

Kjo ndodhi në kohën kur nga La Masia doli një gjeneratë e re e udhëhequr nga Lamine Yamal. Flick ka përshpejtuar integrimin e Yamalit, duke i besuar adoleshentit, duke krijuar modele taktike që maksimizojnë aftësinë e tij të driblimit dhe kreativitetin në situata një kundër një.

Mbrojtësit dyfishohen tek Yamal, por ende kanë vështirësi ta ndalin. Aftësia e tij për të përshpejtuar sulmet, për të krijuar raste dhe për të vendosur ndeshjet, e ka transformuar krahun e djathtë të Barcelonës në pozitën më të rrezikshme në Spanjë.

Pavarësisht lëndimit që e pësoi së fundi, 18-vjeçari i ka shënuar 24 gola në 45 ndeshje këtë edicion.

Flick është mbështetur edhe në produkte të tjera të akademisë, si Pau Cubarsi dhe Fermin Lopez, duke i integruar ata në një sistem me intensitet të lartë.

Besimi ndaj Rashfordit

Pavarësisht lëndimeve, Raphinha nën drejtimin e teknikut gjerman është shndërruar në sulmues më të qëndrueshëm dhe me ndikim.

Flick ka rritur përgjegjësinë sulmuese të  brazilianit dhe ka modifikuar rolin e tij. Ka inkurajuar vendimmarrje më të shpejtë në tranzicion dhe një stil loje më të drejtpërdrejtë që i përshtatet pikave të forta të brazilianit.

Pedri ka mbetur figurë qendrore në mesfushë, duke lulëzuar në një sistem të ndërtuar rreth avancimit të shpejtë.

Robert Lewandowski ka rizbuluar mprehtësinë brenda sistemit Flick. Me shërbim më të mirë dhe modele sulmuese më të strukturuara, polaku 37-vjeçar duket përsëri vendimtar. 

Në aspektin taktik, Eric Garcia ishte prej më të vlefshmëve, duke mbuluar pozicione të shumta. Ndërkohë Gerard Martin ka tejkaluar pritjet pasi është vendosur në një rol kyç në mbrojtje.

Flick ka shfaqur gatishmëri për ndryshime në skuadër dhe kjo e ka ndihmuar Barcelonën të ruajë intensitetin dhe qëndrueshmërinë gjatë një edicioni të vështirë.

Marcus Rashford është prej lojtarëve që ka fituar rastin. Edhe pse jo startues i rregullt, anglezi është përdorur rregullisht si zëvendësues. Dhe statistikat dëshmojnë se ishte prej sulmuesve kryesorë nga tri ekipet më të mëdha spanjolle.

Të dielën ai shënoi supergol nga goditja e dënimit. Mund të jetë goli më i rëndësishëm në karrierë.

Flick lavdërohet edhe për kujdesin që e ka ndaj lojtarëve. Ai i dha Ronald Araujos leje për të munguar në dhjetor, duke i dhënë pëparësi shëndetit të tij mendor. E quajti situatë private dhe nuk dha detaje të tjera rreth situatës. Po ashtu i kërkoi mediave të respektonin privatësinë e mbrojtësit.

Derisa Barcelona po shkëlqente, Real Madridi nisi të lëshonte pikë edhe në ndeshjet që duhej t’i fitonte. Kishte momente dramatike te Real Madridi, që në një mënyrë ndihmuan Barcelonën ta siguronte titullin tri xhiro para fundit.

Potencial për më shumë

Kur Flick mori drejtimin e skuadrës në vitin 2024, ai bëri të qartë se donte një ekip agresiv dhe me intensitet të lartë, që kombinonte futbollin sulmues me identitetin tradicional të klubit. Kishte thënë se idetë e tij ishin të afërta me ato të Johan Cruyff dhe Pep Guardiola.

Këto parime janë vendosur në lojën e Barcelonës dhe kanë ndihmuar klubin ta fitojë titullin e dytë rresht. Ndoshta më e rëndësishmja, Barcelona ka treguar qëndrueshmëri gjatë gjithë kampionatit.

Skuadra ka vuajtur nga lëndimet dhe riorganizimet ishin obligative. Por Barça rrallëherë u thye. Flick ruajti kohezionin, pavarësisht se cilët lojtarë ishin në dispozicion.

Pavarësisht zhgënjimit në Evropë, titulli në Spanjë jep shenja shumë premtuese.

Me një skuadër të ndërtuar me talente të reja e elitare, është e sigurt të thuhet se e ardhmja e Barcelonës është jashtëzakonisht premtuese.