Polonia ka aktivizuar avionët luftarakë pranë kufirit me Ukrainën, pasi kryeqyteti ukrainas, Kievi, u godit gjatë natës nga raketa dhe dronë rusë.
Ushtria polake ka njoftuar se ky hap është veprim parandalues, për të mbrojtur hapësirën ajrore të Polonisë.
Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, të paktën një person u vra dhe 28 të tjerë u plagosën në sulmet në Kiev, raporton BBC.
Ndërkohë që luftimet vazhdojnë, po vazhdojnë edhe përpjekjet për të arritur një marrëveshje paqeje. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të takohet me Donald Trump në Florida të dielën.
Pas sulmeve të fundit ruse, Zelensky ka thënë se Rusia nuk dëshiron ta përfundojë luftën dhe po përpiqet të shkaktojë sa më shumë vuajtje për Ukrainën. Në një mesazh në Telegram, ai deklaroi se Rusia ka lëshuar rreth 500 dronë dhe 40 raketa drejt Kievit, duke goditur infrastrukturën energjetike dhe objektiva civile.
Pamjet nga qyteti tregojnë ndërtesa banimi të shkatërruara, me vrima të mëdha dhe shtëpi që digjen. Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka bërë të ditur se mijëra ndërtesa kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa shumë banorë janë edhe pa ngrohje, në një kohë kur temperaturat kanë rënë nën zero.
Shërbimi i Emergjencave njoftoi se 68 persona u evakuuan nga një shtëpi për të moshuar në lagjen Darnytskyi, në lindje të Kievit.
“Përfaqësuesit rusë flasin gjatë, por në realitet flasin raketat ‘Daggers’ dhe dronët ‘Shahed’”, shkroi Zelensky, duke shtuar se presidenti rus Vladimir Putin nuk dëshiron paqe.
Ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës, përfshirë SHBA-në dhe Evropën, të reagojnë me masa të forta kundër agresionit rus dhe të tregojnë vendosmëri.