Irani ka kapacitetin të rifillojë pasurimin e uraniumit, për një bombë të mundshme – brenda “disa muajsh”, ka deklaruar drejtori i agjencisë bërthamore të OKB-së.
Rafael Grossi, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), tha se sulmet ajrore të SHBA-së ndaj tre objekteve iraniane fundjavën e kaluar shkaktuan dëme të rënda, por “jo të plota”, duke kundërshtuar pretendimin e Donald Trump se objektet bërthamore të Iranit ishin “shkatërruar plotësisht”.
“Sinqerisht, nuk mund të thuhet se gjithçka është zhdukur dhe nuk ka më asgjë aty”, tha Grossi të shtunën.
Izraeli sulmoi më 13 qershor objekte bërthamore dhe ushtarake në Iran, duke pretenduar se Irani ishte afër ndërtimit të një arme bërthamore. Më pas, SHBA-ja iu bashkua sulmeve, duke bombarduar tre objektet kryesore bërthamore të Iranit: Fordo, Natanz dhe Isfahan.
Që atëherë, përmasat e sakta të dëmit kanë mbetur të paqarta.
Të shtunën, Grossi i tha rrjetit CBS News, se Teherani mund të ketë “brenda disa muajsh... disa kaskada centrifugash që rrotullohen dhe prodhojnë uranium të pasuruar”.
Ai shtoi se Irani ende zotëron “kapacitetet industriale dhe teknologjike... kështu që, nëse dëshiron, do të mund të rifillojë procesin”.
IAEA nuk është institucioni i parë që sugjeron se kapacitetet bërthamore të Iranit mund të vazhdojnëm pasi më herët gjatë javës, një vlerësim i inteligjencës së Pentagonit konkludoi se sulmet e SHBA-së vetëm sa e kanë vonuar programin me disa muaj.
Trump reagoi ashpër duke deklaruar se objektet bërthamore të Iranit ishin “shkatërruar plotësisht” dhe akuzoi median për “përpjekje për të njollosur një nga goditjet më të suksesshme ushtarake në histori”.
Për momentin, Irani dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim.
Por Trump ka thënë se do ta konsideronte “absolutisht” një tjetër bombardim të Iranit nëse inteligjenca zbulon se ai mund të pasurojë uraniumin në nivele shqetësuese.