Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë të enjten se Rripi i Gazës ka shënuar nivelin më të lartë mujor të kequshqyerjes akute te fëmijët, teksa vdekjet nga uria janë në rritje e sipër në enklavën palestineze, ka shkruar Reuters.
“Në korrik, pothuajse 12,000 fëmijë nën moshën pesë vjeç u identifikuan si të prekur nga kequshqyerja akute në Gazë, shifra më e lartë mujore e regjistruar ndonjëherë”, ka deklaruar Ghebreyesus, nga selia e Organizatës në Gjenevë të Zvicrës.
Ai ka shtuar se të paktën 99 persona kanë vdekur nga uria, prej tyre 64 të rritur dhe 35 fëmijë, nga të cilët 29 nën moshën 5-vjeçare, që nga fillimi i këtij viti e deri në fundin e muajit korrik.
Sipas OBSH-së, rreth 2,500 nga këta fëmijë vuajnë prej kequshqyerjes së rëndë.
“Sasia e përgjithshme e furnizimeve ushqimore mbetet plotësisht e pamjaftueshme për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm. Tregu duhet stërmbushur. Duhet të ketë llojllojshmëri ushqimore”, ka theksuar më tutje Rik Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së për territorin e okupuar palestinez përmes videolidhjes.
Monitoruesi Global i Urisë pati konstatuar se në Rripin e Gazës po zhvillohet një skenar i rëndë humanitar, teksa fëmijët po vdesin nga shkaqe të lidhura me urinë, si dhe qasja humanitare në enklavën e rrethuar është kufizuar në masë të madhe.
Në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) kanë bërë të ditur se konsumimi i ushqimit në të gjithë Gazën ka rënë në nivelin më të ulët që nga fillimi i luftës.
Të paktën 81 për qind e familjeve në këtë territor të vogël e të mbipopulluar me 2.2 milionë banorë kanë raportuar për nivele të ulëta sa i përket konsumimit të ushqimit.