Monitoruesi Global i Urisë, sistem ndërkombëtar i cili përdoret për të vlerësuar dhe klasifikuar nivelin e pasigurisë ushqimore dhe të krizave të lidhura me ushqimin në një rajon të caktuar, ka paralajmëruar të martën se skenari më i keq i mundshëm i urisë po zhvillohet në Rripin e Gazës, teksa është bërë thirrje për ndërprerjen e luftimeve dhe rritjen e qarkullimit të ndihmave humanitare, duke theksuar se dështimi mund të rezultojë në shkallë më të lartë të vdekjes.
Ky sistem përdor një gamë të gjerë të të dhënave, përfshirë analizat e të ardhurave, ndihmën ushqimore, shëndetin e popullsisë, dhe kushte klimatike për të përcaktuar në cilën fazë të pasigurisë ushqimore ndodhet një komunitet ose vend.
Alarmi i këtij sistemi përkon me njoftimin e fundit të autoriteteve shëndetësore në enklavën palestineze, ku ndër të tjera është konstatuar se bilanci i përgjithshëm i të vrarëve si pasojë e fushatës ushtarake të Izraelit ka tejkaluar 60-mijëshin, ka raportuar Reuters.
Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC) ka ngritur mundësinë që kriza e urisë e shkaktuar nga njeriu të klasifikohet formalisht si uri masive, me shpresën se kjo mund të rrisë presionin mbi Izraelin për të lejuar hyrjen e më shumë dërgesave ushqimore.
“Provat që po grumbullohen tregojnë se uria e përhapur, kequshqyerja dhe sëmundjet po nxisin rritjen e vdekjeve të lidhura me urinë”, thuhet në njoftimin e IPC-së.
Drejtoresha Ekzekutive e Programit Botëror të Ushqimit (WFP), Cindy McCain, është shprehur se pritja e konfirmimit nga IPC-ja për të vazhduar me ofrimin e “ndihmës ushqimore që shpëton jetë” është krejtësisht “e paarsyeshme”.
“Ajo që po ndodh është skandal. Ne duhet të mbushim Gazën me ndihma ushqimore të shkallës së gjerë, menjëherë dhe pa pengesa, dhe ta mbajmë atë të rrjedhë çdo ditë për të parandaluar urinë masive”, ka thënë ajo, tek ka shtuar se “sa më gjatë që presim për të vepruar, aq më i lartë do të jetë numri i viktimave”.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për mirëqenien e fëmijëve (UNICEF), ka theksuar po ashtu se “fëmijët dhe foshnjat e rraskapitura po vdesin nga kequshqyerja në Gazë”.
Kryetarja e kësaj agjencie, Catherine Russell, ka thënë se duhet të ketë “qasje humanitare të menjëhershme, të sigurt dhe të pakufizuar në të gjithë Gazën”, për të rritur dërgesat e ushqimit, ujit dhe ilaçeve.
“Pa këtë, nënat dhe baballarët do të vazhdojnë të përballen me makthin më të keq të prindërve, pa mundësi për të shpëtuar fëmijët e uritur nga një gjendje që mund ta parandalojmë”, ka shtuar Russell.