Autoriteti kryesor botëror për krizat ushqimore ka konstatuar të premten se qyteti i Gazës është përfshirë nga uria, teksa ka paralajmëruar se ajo mund të përhapet në të gjithë territorin, nëse nuk arrihet menjëherë marrëveshja për armëpushim dhe nuk hiqen kufizimet ndaj ndihmës humanitare.
Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC), organizata e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, ka deklaruar se uria është përhapur aktualisht në qytetin e Gazës, ku jetojnë qindra mijëra palestinezë, dhe se ajo mund të shpërndahet me shpejtësi drejt jugut – në qytetet e Deir al-Balah dhe Khan Younis – deri në fund të muajit të ardhshëm, ka shkruar AP.
Këto përfundime janë publikuar pas paralajmërimeve të shumë organizatave humanitare, të cilat kanë ngritur shqetësimin se kufizimet e Izraelit mbi ushqimin dhe ndihmat e tjera humanitare, krahas ofensivës ushtarake, po shkaktojnë nivele të larta të urisë dhe të kequshqyerjes, sidomos te fëmijët palestinezë.
IPC-ja ka njoftuar se uria në Gazë është shkaktuar nga luftimet dhe bllokada ndaj ndihmave humanitare, duke u përkeqësuar më tej nga zhvendosja masive e popullatës dhe shkatërrimi i plotë i prodhimit ushqimor në territor.
Pas 22 muajsh të luftës, këto faktorë kanë shtyrë urinë në nivele kërcënuese për jetën në gjithë Rripin e Gazës, duke prodhuar krizë të pashembullt humanitare.
E autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se i refuzojnë gjetjet e raportit të fundit të IPC-së. Në përgjigjen e organit ushtarak përgjegjës për ndihmat (COGAT), kanë pretenduar se “raporti është i rremë dhe bazohet në të dhëna të pjesshme, të njëanshme dhe informacione sipërfaqësore që vijnë nga Hamasi, një organizatë terroriste”.
Mes tjerash, COGAT-i ka theksuar se raporti injoron përpjekjet e mëdha humanitare që janë ndërmarrë në Gazë.
Guterres pas raportit të IPC-së: Uria në Gazë është dështim i vetë njerëzimit
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka reaguar të premten pas raportit të publikuar nga autoriteti kryesor botëror për krizat ushqimore, duke thënë se gjendja e tanishme humanitare në Rripin e Gazës është dështim i vetë njerëzimit, ka shkruar BBC.
“Kur duket se nuk ka më fjalë për të përshkruar ferrin që po përjetojnë njerëzit në Gazë, është shtuar edhe një tjetër: ‘uria’”, ka thënë Guterres.
Ai ka theksuar se kjo situatë nuk është mister, por katastrofë e shkaktuar nga vetë dora e njeriut.
“Uria nuk ka të bëjë vetëm me mungesën e ushqimit; mbi të gjitha ajo ka të bëjë me shembjen e qëllimshme të sistemeve që janë të nevojshme për mbijetesën njerëzore”, ka shtuar ai.
Shefi i OKB-së ka nënvizuar gjithashtu se Izraeli ka detyrime të qarta sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë detyrimin për të siguruar furnizime të rregullta me ushqim dhe ndihma mjekësore për popullatën.
“Nuk mund ta lejojmë këtë situatë të vazhdojë pa u ndëshkuar. Nuk ka më justifikime. Koha për veprim nuk është nesër – është tani. Kërkojmë armëpushim të menjëhershëm, lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve dhe qasje të plotë dhe të pakufizuar humanitare”, është shprehur Guterres.
Agjencitë e OKB-së lëshojnë deklaratë të përbashkët për krizën e urisë në Gazë
Katër agjenci të Kombeve të Bashkuara – Organizata e Ushqimit dhe Agrikulturës, Programi Botëror i Ushqimit, UNICEF dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë ripërsëritur thirrjet e tyre për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës dhe “për rritje të qasjes humanitare në mënyrë që të parandalohen vdekjet nga uria dhe kequshqyerja”.
Sipas këtyre agjencive, “uria duhet të ndalohet medoemos”, teksa janë shprehur shqetësimet për rrezikun që paraqitet nga “intensifikimi i ofensivës ushtarake të Izraelit në qytetin e Gazës dhe çdo përshkallëzimi tjetër të konfliktit”, pasi që kjo, bazuar në njoftim, do të prodhonte pasoja të tmerrshme për civilët.
Në deklaratën e tyre të përbashkët, trupat e OKB-së kanë njoftuar se kequshqyerja në mesin e fëmijëve në Gazë është duke u rritur me shpejtësi të hatashme, dhe se vetëm në muajin korrik më shumë se 12,000 fëmijë ishin diagnostikuar me kequshqyerje akute.
“Afro 1 në 4 fëmijë kanë vuajtur nga kequshqyerja e rëndë akute, forma më vdekjeprurëse që ka ndikim si afatshkurtër njashtu dhe afatgjatë”, thuhet më tutje në deklaratë.