Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Netanyahu raportohet se ka vizituar fshehtas Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vizituar fshehurazi Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën dhe është takuar me presidentin e këtij vendi, Sheikh Mohammed bin Zayed, ka thënë për CNN një burim izraelit i njohur me vizitën.

Burimi ka thënë se Irani ka dominuar agjendën e takimit, një fushë në të cilën dy vendet kanë thelluar bashkëpunimin, përfshirë edhe gjatë luftës aktuale me Iranin.

Zyra e kryeministrit izraelit nuk e ka konfirmuar vizitën. CNN i është drejtuar ministrisë së Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe për koment.

Ky udhëtim i rrallë, nëse konfirmohet, vjen saktësisht një muaj para zgjedhjeve të 27 tetorit në Izrael dhe në një kohë kur në vend është shtuar polemika politike lidhur me raportimet e Haaretz dhe The New York Times, sipas të cilave Bin Zayed e kishte paralajmëruar Netanyahun për një operacion të madh të Hamasit disa ditë para sulmit të 7 tetorit 2023.

The Atlantic ka raportuar veçmas se shefi i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, kishte fluturuar drejt Izraelit më 26 shtator 2023 për të paralajmëruar se Gaza do të “shpërthente”. Ndërsa të dielën, The Wall Street Journal ka raportuar se kishte pasur të paktën tre paralajmërime egjiptiane të përcjella te Izraeli lidhur me Gazën, i fundit përmes një telefonate me Netanyahun, vetëm disa ditë para sulmit.

Zyra e Netanyahut ka mohuar vazhdimisht se kishte marrë ndonjë paralajmërim dhe i ka cilësuar raportimet si gënjeshtra të sajuara, të synuara për ta dëmtuar atë në zgjedhje. Megjithatë, rivalët e tij i kanë përdorur këto akuza për ta bërë përgjegjësinë për dështimin në parandalimin e sulmit të 7 tetorit 2023 një çështje qendrore të fushatës.

Pas raportimeve të para për një paralajmërim nga Bin Zayed, ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka thënë në fillim të këtij muaji se “nuk komenton raportimet mediatike apo spekulimet lidhur me bisedat mes liderëve qeveritarë”, por nuk e ka mohuar telefonatën.

“Kur është e nevojshme, i gjithë informacioni përkatës i inteligjencës është komunikuar dhe vazhdon të komunikohet ndërmjet institucioneve përkatëse”, thuhej në deklaratë.

Në atë kohë, një burim izraelit i njohur me çështjen ka thënë se zyra e Netanyahut ishte përpjekur të bindte Emiratet e Bashkuara Arabe ta mohonte raportimin, por Emiratet kishin rënë dakord vetëm të publikonin një deklaratë për shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës.

Partia Likud e Netanyahut më pas ka publikuar një deklaratë, të postuar në llogarinë e kryeministrit në X, ku akuzonte për “ndërhyrje të hapur të huaj” në zgjedhjet e Izraelit nga politikani palestinez Mohammed Dahlan, me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Partia nuk ka paraqitur asnjë provë për këtë pretendim.

Ndërkohë, rivalët e Netanyahut e kanë shfrytëzuar paralajmërimin e raportuar për të rikthyer sulmet ndaj mënyrës se si ai ka trajtuar ngjarjet që i paraprinë 7 tetorit.

Gadi Eizenkot, i cili aktualisht renditet në sondazhe si sfiduesi kryesor i kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme në Izrael, ka thënë të shtunën se zbulimi lidhur me paralajmërimin “nuk lë vend për dyshim: Netanyahu e udhëhoqi, me verbëri, arrogancë dhe papërgjegjshmëri, shtetin e Izraelit drejt katastrofës më të madhe në historinë e tij”.

Në maj, zyra e Netanyahut ka thënë se kryeministri kishte vizituar fshehurazi Emiratet e Bashkuara Arabe në mars, gjatë ditëve të para të luftës me Iranin, duke e cilësuar atë si një “përparim historik”.

Megjithatë, ninistria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe e kishte mohuar në atë kohë pretendimin e tij si “krejtësisht të pabazë”.

Gjatë luftës, thuhet gjithashtu se Izraeli ka vendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe sistemin e mbrojtjes raketore "Iron Dome", ndërsa zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se bashkëpunimi i sigurisë mes dy vendeve ka arritur nivele të paprecedenta.

Netanyahu nuk ka kryer kurrë ndonjë vizitë zyrtare të pranuar publikisht në Emiratet e Bashkuara Arabe.