Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Netanyahu e quan kryeministrin e Australisë “politikan të dobët e tradhtar”

Netanyahu - Albanese

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka kritikuar të martën homologun e tij australian, Anthony Albanese, duke e cilësuar atë si “politikan të dobët”, në vazhdën e mospajtimeve ndërmjet dy vendeve pas vendimit të Canberras zyrtare për ta njohur një shtet palestinez, ka raportuar The Guardian.

“Historia do ta kujtojë Albanesen për atë se çfarë është: Një politikan i dobët, i cili e ka tradhtuar Izraelin dhe i ka braktisur hebrenjtë e Australisë”, ka shkruar Netanyahu në rrjetin social X.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Albanese kishte thënë javën e kaluar se vendimi për njohjen e shtetit palestinez është marrë pasi Qeveria australiane ka pranuar zotime nga presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, se grupi militant, Hamas, nuk do të luajë asnjë rol në këtë proces.

“Zgjidhja me dy shtete është shpresa më e mirë e njerëzimit për të thyer këtë cikël të dhunës në Lindje të Mesme dhe për t’u dhënë fund konfliktit, vuajtjes dhe urisë në Gazë”, kishte deklaruar Albanese.

Australia do ta njohë si shtet Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator, duke ndjekur rrugën e Britanisë së Madhe, Francës dhe Kanadasë, që kanë paralajmëruar ta bëjnë të njëjtën gjë.