Kryekomandanti i NATO-s, Alexus Grynkewich, ka thënë të enjten se përgatitjet sa i përket transferimit të shpejtë të sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot” për në Ukrainë janë në zhvillim e sipër, gjersa vendi po përballet me disa prej sulmeve më të rënda të Rusisë që prej fillimit të luftës, ka shkruar Reuters.
“Përgatitjet janë në zhvillim e sipër, ne po punojmë ngushtë me gjermanët për transferimin e ‘Patriotëve’”, ka thënë ai gjatë një konference në qytetin gjerman të Wiesbadenit. “Udhëzimi që më është dhënë ka qenë që të lëvizim sa më shpejtë të jetë e mundur”.
Të hënën, presidenti amerikan, Donald Trump, pati njoftuar se një vend i paidentifikuar ishte gati të siguronte menjëherë 17 sisteme “Patriot” për Ukrainën.
Sipas raportimeve, besohet se Ukraina zotëron të paktën gjashtë “bateri” funksionale të mbrojtjes ajrore “Patriot” – sistem ky i bazuar në kamionë që përfshijnë radarë dhe raketahedhës.
Disa vende evropiane kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të blerë armë amerikane për Ukrainën, në kuadër të planit të parashtruar nga Trumpi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka njoftuar disa ditë më parë se shtetet si Gjermania, Finlanda, Kanadaja, Norvegjia, Suedia, Britania e Madhe dhe Danimarka do të jenë ndër blerësit kryesorë që do ta furnizojnë Kievin zyrtar.
Javën e kaluar, gazeta britanike “The Guardian” kishte raportuar se Gjermania do të paguante për dy sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot”, teksa Norvegjia vetëm për një.
Burokratët e Washingtonit kanë sugjeruar që vendet evropiane do të japin një pjesë të stokut të tyre aktual të armëve për Ukrainën dhe më pas do të blejnë zëvendësime nga SHBA-ja.