Ukraina ka marrë konfirmim nga partnerët se ata do të sigurojnë fonde për tre sisteme mbrojtëse nga raketat Patriot dhe po zhvillohen diskutime për financim edhe për shtatë të tjerë, ka njoftuar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Zyrtarisht kam marrë konfirmim nga Gjermania për dy sisteme dhe nga Norvegjia për një. Aktualisht po punojmë me partnerë holandezë”, u ka thënë ai gazetarëve, ka raportuar Reuters.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar më herët këtë muaj se armë në vlerë miliarda dollarë do të dërgohen në Ukrainë, përfshirë raketat Patriot.
Kjo nxiti negociata rreth asaj se cilët partnerë mund të kontribuonin në skemën e blerjes së armëve - një proces që do të përcaktojë mbështetjen që do të marrë Ukraina.
Përveç sigurimit të furnizimeve të mbrojtjes ajrore, Ukraina duhet të mbulojë një boshllëk financimi prej 40 miliardë dollarësh vitin e ardhshëm, citohet të ketë thënë Zelensky në komentet e publikuara nga zyra e tij.
Zelensky ka bërë të ditur gjithashtu se Washingtoni dhe Kievi zyrtar janë pajtuar për një marrëveshje që kap vlerën e 10 deri në 30 miliardë dollarë, në kuadër të së cilës Ukraina do t’u shesë dronë Shteteve të Bashkuara.