Botë

“Na bëri krenar dhe veproi me ndërgjegje të pastër”, thotë familja e heroit të Sidneit

Ahmed El Ahmed

Ahmed el Ahmed kalimtari që çarmatosi një nga personat e armatosur gjatë sulmit në plazhin Bondi në Sidnei, veproi me “ndërgjegje të pastër dhe humanizëm”, ka thënë familja e tij për “BBC”. 

Në sulmin në Sidnei të Australisë, në një festë hebraike, u vranë 15 persona, ndërsa vdiq edhe një nga sulmuesit. 

Videot e Ahmedit duke çarmatosur një nga sulmuesit janë bërë virale. 

Babai i Ahmedit, Mohamed Fateh el Ahmed, tha se djali i tij nuk hezitoi kur pa njerëzit duke u sulmuar. 

“Ahmed u nxit nga ndjenja, ndërgjegjja dhe humanizmi i tij, kur nxitoi përpara, ndaloi personin e armatosur dhe ia rrëmbeu armën”, tha ai. 

Ai shtoi se Ahmedi kishte dalë me një mik për të pirë kafe, kur pa ngjarjen. 

“Ai pa viktimat, gjakun, gratë dhe fëmijët e shtrirë në rrugë dhe pastaj veproi”, tha babai i tij. 

Sipas familjes, gjendja e Ahmedit është e qëndrueshme dhe ai po pret trajtim të mëtejshëm mjekësor për plagët në shpatull që ka marrë nga arma e zjarrit dhe po ashtu në dorë. 

Në Siri, ku Ahmedi u lind dhe u rrit, xhaxhai i tij Mohamed Ahmed al Ahmed, i ka thënë BBC-së se familja ndjeu krenari të madhe. 

“Ai na bëri krenarë ne, fshatin tonë, Sirinë, të gjithë myslimanët dhe të gjithë botën”, tha ai.