Personat e armatosur që dyshohet se kryen sulmin vdekjeprurës në një festival hebre në Bondi Beach javën e kaluar hodhën katër eksplozivë të padëmtuar në fillim të sulmit, sipas dokumenteve të publikuara së fundmi, raportoi BBC-ja të hënën.
24-vjeçari Naveed Akram është akuzuar për dhjetëra vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje që lidhet me sulmin në një festë Hanukkah më 14 dhjetor. Akrami, i cili u qëllua nga policia gjatë sulmit, u lirua nga spitali të hënën dhe u transferua në një burg.
Personi i dytë i dyshuar për sulm, babai i tij Sajid Akram, u qëllua për vdekje.
Sipas dokumenteve të policisë, dyshja regjistroi një video në tetor, në të cilën ulen përpara flamurit të grupit të Shtetit Islamik.
“Akramët e planifikuan me kujdes këtë sulm terrorist për shumë muaj", ka deklaruar policia.
Autoritetet theksojnë se videot e gjetura në telefonin e Naveedit tregojnë se dyshja ishte e motivuar nga "ideologjia ekstremiste e dhunshme" e lidhur me grupin e Shtetit Islamik.
“Ato përfshijnë një video në të cilën ata ulen përpara një flamuri të Shtetit Islamik dhe detajojnë motivimin e tyre për sulmin në Bondi e edhe dënojnë ‘aktet e sionistëve'", thotë më tej policia.
Një video tjetër ka paraqitur dyshen duke kryer stërvitje me armë zjarri në atë që policia beson se është zona rurale e Uellsit të Ri Jugor gjatë tetorit.

"I akuzuari dhe babai i tij shihen gjatë gjithë videos duke qëlluar me armë gjahu dhe duke lëvizur në mënyrë taktike", ka theksuar policia.
Policia pretendoi se kamerat e sigurisë të regjistruara në plazhin Bondi dy ditë para sulmit treguan gjithashtu familjen Akram duke drejtuar veturën drejt zonës dhe duke kryer vëzhgim paraprak.
"I akuzuari dhe babai i tij, S Akram, shihen duke dalë nga automjeti dhe duke ecur përgjatë urës për këmbësorë, duke qenë në të njëjtin pozicion ku ata morën pjesë dy ditë më vonë dhe qëlluan ndaj qytetarëve", kanë njoftuar tutje autoritetet e rendit.

Policia tha se sendet, të cilat ishin vendosur në veturë nga ata, ishin tre armë zjarri, pajisje shpërthyese të improvizuara të prodhuara në shtëpi dhe dy flamuj të Shtetit Islamik.
Më vonë ata shkuan me veturë në Bondi, ku parkuan dhe vendosën flamujt në pjesën e brendshme të dritareve të përparme dhe të pasme, sipas policisë.
Pasi hoqën armët e zjarrit dhe bombat nga vetura, ata ecën drejt urës për këmbësorë nga ku kryen sulmin e tyre, është njoftuar më tej.

Naveed Akram, i cili u qëllua në bark dhe u plagos rëndë nga policia, nuk u paraqit në gjykatë të hënën.