Të paktën 16 persona kanë mbetur të vrarë, në mesin e tyre edhe një sulmuesi i dyshuar, dhe 40 të tjerë të plagosur, nga një sulm i armatosur që ka ndodhur të dielën në një plazh në Sidnei të Australisë.
Sulmi ka ndodhur gjatë kohës sa në plazhin Bondi po festohej festa hebraike e Hannukahs, çka bëri që autoritetet të konstatojnë se sulmuesit kishin cak komunitetin hebraik.
Një nga të dyshuarit për sulmin është qëlluar për vdekje nga policia, ndërkaq i dyti, i cili është arrestuar, është në gjendje kritike. Sulmuesi i vdekur është i moshës 50-vjeçare, ndërsa i plagosuri 24-vjeçar.
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka deklaruar në një konferencë për media se ndihej i shkatërruar nga sulmi, teksa ka shprehur mbështetjen e tij për komunitetin hebre.
“Si kryeministër, në emër të të gjithë australianëve, i them komunitetit hebre se ne qëndrojmë me ju dhe riafirmojmë sonte se keni të drejtë të jeni krenarë për atë që jeni dhe për atë që besoni. Keni të drejtë të adhuroni, të studioni, të jetoni dhe të punoni në paqe dhe siguri, dhe na pasuroni si komb. Nuk duhet të duroni kurrë humbjen që keni pësuar sot”, ka deklaruar Albanese.
Policia ka thënë se oficerët po shqyrtonin një numër gjërash të dyshimta, përfshirë disa pajisje shpërthyese të improvizuara të gjetura në veturat e njërit prej të dyshuarve.
Qindra njerëz ishin mbledhur për ngjarjen që festonte fillimin e festivalit tetëditor të Hanukkahs.
Pamjet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale tregonin dy persona të armatosur me armë të gjata që qëllonin nga një urë këmbësorësh që të çonte në plazh.
Një klip dramatik i transmetuar në televizionin australian tregonte një kalimtar që pengon njërin nga sulmuesit duke iu hedhur sipër dhe duke ia marrë pushkën nga duart.
Të pranishmit në festival shihen teksa ikin dhe fshihen ndërkohë që dëgjohen të shtënat.
“Në fillim mendova se ishin fishekzjarrë. Thjesht nuk e pret fare këtë lloj gjëje në Bondi, ose në përgjithësi në jetë për të qenë i sinqertë, por sidomos në Bondi. Kështu që ishim pak të hutuar. Por pastaj, me sa duket, ndërsa të shtënat vazhdonin, e kuptuam se diçka nuk ishte në rregull. Dhe pastaj policia reagoi mjaft shpejt. Të shtënat vazhduan për një kohë të gjatë, dukej si disa minuta”, është shprehur një dëshmitar.
Udhëheqësit botërorë kanë shprehur ngushëllime dhe kanë dënuar sulmin.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë në një postim në X se “Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqimisht sulmin terrorist në Australi që synonte një festë hebraike”. Sipas tij, antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë.
Ndërkaq, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se ata si popull po përballen me një betejë globale kundër antisemitizmit.
Sulmet masive në Australi janë jashtëzakonisht të rralla. Një sulm i vitit 1996 në qytetin tasmanian të
Port Arthur, ku një person i armatosur vrau 35 persona, e shtyu qeverinë të shtrëngonte në mënyrë drastike ligjet për armët dhe e bëri shumë më të vështirë për australianët të siguronin armë zjarri.