Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mijëra njerëz në Francë mbesin pa energji elektrike mes të nxehtit ekstrem

Temperaturat

Foto: Associated Press

Autoritetet në veri të Francës po përpiqen të mërkurën të rikthejnë energjinë elektrike për mijëra banesa të prekura nga ndërprerjet e rrymës, mes një vale përvëluese të të nxehtit që ka goditur pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore prej disa ditësh.

Qendrave shëndetësore dhe objekteve kritike po u jepet përparësi në përpjekjet për rikthimin e energjisë, ndërsa gjeneratorë janë siguruar për shtëpitë e të moshuarve pas ndërprerjeve të së martës, të cilat sipas autoriteteve u shkaktuan nga një incident në një transformator.

“Incidenti ishte aksidental dhe lidhej me valën aktuale të të nxehtit”, kanë thënë autoritetet në një deklaratë. 

Temperaturat rekord në mbarë Evropën, që sipas Reuters Climate Monitor kanë qenë deri në 18 gradë celsius mbi normalen, kanë shkaktuar probleme në rrjetet e transportit dhe kanë detyruar mbylljen e shkollave dhe vendeve turistike.

Shërbimi meteorologjik francez “Météo-France”, ka deklaruar se kushtet aktuale janë të krahasueshme me valën e të nxehtit të gushtit 2003, e cila ka zgjatur 16 ditë dhe ka shkaktuar rreth 80,000 vdekje shtesë në të gjithë Evropën.

Nuk është ende e qartë sa do të zgjasë vala aktuale e të nxehtit, e nxitur nga një fenomen atmosferik i njohur si “Blloku Omega”, i quajtur kështu për formën e tij, që shkakton grumbullimin e nxehtësisë ditë pas dite.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, Evropa po ngrohet me më shumë se dyfishin e mesatares globale, duke i bërë periudhat e gjata të vapës ekstreme gjithnjë e më të mundshme.

Vala e të nxehtit ka detyruar kompanitë e ndërtimit të ndryshojnë oraret e punës në mënyrë që punonjësit të shmangin temperaturat më të larta të ditës. Ndërkohë, shitësit po hasin vështirësi për të përmbushur kërkesën e madhe për ventilatorë dhe kondicionerë portativë, ndërsa fermerët po korrin drithërat gjatë natës, pas ndalimit të punës pasdite për shkak të rrezikut nga zjarret.

Dhjetëra njerëz janë mbytur teksa përpiqeshin të shpëtonin nga nxehtësia duke u hedhur në lumenj, liqene apo zona të tjera ujore.

Në Britani, operatori i rrjetit elektrik u ka kërkuar prodhuesve të energjisë të rrisin furnizimin për shkak të temperaturave në rritje, të cilat pritet të thyejnë rekorde të reja gjatë së mërkurës.

Operatorët hekurudhorë në Britani kanë këshilluar qytetarët të kryejnë vetëm udhëtimet e domosdoshme gjatë dy ditëve më të nxehta, të mërkurën dhe të enjten, pasi temperaturat e larta kanë detyruar vendosjen e kufizimeve të shpejtësisë për trenat.

Në juglindje të Francës, autopsia tregoi se dy fëmijë, dy dhe katër vjeç, të cilët u gjetën të vdekur në një veturë pranë shtëpisë së tyre familjare, kishin humbur jetën si pasojë e temperaturave ekstreme.

Nëna e tyre ka deklaruar se fëmijët ndodheshin në veturë pa dijeninë e saj, ka thënë prokurori rajonal.

Ministria italiane e Shëndetësisë ka lëshuar nivelin më të lartë të alarmit për vapë në 16 qytete, përfshirë, Milano, Romë, Turin dhe Verona.

Meteorologët kanë paralajmëruar se kushtet pritet të përkeqësohen më tej, veçanërisht në rajonet qendrore dhe veriore të Italisë, me valën e të nxehtit që ka të ngjarë të arrijë kulmin mes së dielës dhe së hënës.

Temperaturat mund të arrijnë deri në 41°C në zonat midis Toskanës dhe Emilia-Romagna, ndërsa në rajonet bregdetare si Liguria kombinimi i vapës dhe lagështisë ekstreme mund të bëjë që temperatura e ndier të arrijë deri në 45°C.

Mbi 90 milionë evropianë përballen sot me temperatura mbi 35°C

2 muaj më parë / 24 qer 2026 13:58
Moti

Photo: Associated Press

Vlerësimet e Agence France Prese (AFP) thonë se 94 milionë evropianë do të përjetojnë të mërkurën temperatura mbi 35 gradë celsius.

Shumica e tyre do të jenë në Francë dhe në Spanjë. 

Ndërkaq, më shumë se 350 milionë njerëz do të përjetojnë temperatura mbi 30 gradë celsius.

Kjo është dy e treta e popullsisë së kontinentit, dhe ende është vetëm fillimi i verës.

Temperaturat pritet të arrijnë kulmin në Holandë dhe Belgjikë të premten, ndërsa zhiva në Gjermani pritet të rritet në 40 gradë celsius gjatë fundjavës.

Vala e të nxehtit do të shtrihet edhe në Evropën Lindore gjatë ditëve të ardhshme, me paralajmërime të ashpra për nxehtësi, të lëshuara për vende si: Polonia, Kroacia dhe Hungaria për më vonë gjatë javës.

Deri më tani, Franca, Spanja dhe Italia janë goditur më rëndë nga vala e të nxehtit.

Të paktën 40 persona janë mbytur në incidente të lidhura me valën e të nxehtit në Francë që nga e enjtja e kaluar, sipas autoriteteve.