Botë

Mes presionit të SHBA-së, BE-ja dhe India nënshkruajnë marrëveshje të rëndësishme tregtare

shba indi

Bashkimi Evropian dhe India kanë njoftuar një marrëveshje historike tregtare pas gati dy dekadash bisedimesh me ndërprerje, ndërsa të dy palët synojnë të thellojnë lidhjet në një kohë tensionesh me SHBA-në.

“Evropa dhe India po bëjnë histori sot”, shkroi në platformën X, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ndodhen në Delhi, ku u takuan me kryeministrin indian  Narendra Mondi në kuadër të një samiti dypalësh.

Si India, ashtu edhe BE-ja po kërkojnë të forcojnë lidhjet strategjike dhe tregtare me pjesën tjetër të botës, ndërsa përballen me presion ekonomik dhe gjeopolitik nga SHBA-ja.

Delhi po përballet  me tarifa prej 50 për qind të vendosura nga presidenti Donald Trump vitin e kaluar, në një kohë kur bisedimet për sigurimin e një marrëveshjeje tregtare mes Indisë dhe SHBA-së vazhdojnë të zvarriten.

Javën e kaluar, Trumpi kërcënoi se do të përshkallëzonte luftën e tij tregtare me aleatët evropianë për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj një marrjeje të Grenlandës nën kontroll nga SHBA-ja, përpara se të tërhiqej nga ky qëndrim.

Marrëveshja Indi-BE do të zgjerojë qasjen në treg për eksportet indiane në Evropë, ndërkohë që do të lehtësojë hyrjen e investimeve dhe mallrave evropiane, të tilla si veturat dhe pijet, në ekonominë e tretë më të madhe të Azisë.