Së paku 20 persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë zhdukur si pasojë e përmbytjeve në provincën Hebei në Kinë. Autoritetet kineze kanë njoftuar se mijëra banorë të kësaj province janë evakuuar nëpër strehimore.
Mediat shtetërore kanë raportuar se ekipet e shpëtimit kanë dyfishuar punën pas shiut të madh dhe përmbytjeve në provincën veriore të vendit. Më shumë se 850 mijë persona janë evakuuar si pasojë e përmbytjeve.
Pas shiut të madh, në ditët e fundit, niveli i ujit në lumin Juma është ngritur, duke përmbytur më shumë se 500 fshatra në provincën veriore të Kinës. Ekipet e shpëtimit kanë njoftuar se të mërkurën kanë evakuuar banorët nëpër ultësira, të cilat janë shpallur si zona të rrezikuara nga përmbytjet në provincën kineze.