Pushtimi i Ukrainës ka hyrë të premten në ditën e 30-të. Qindra civilë në mesin e të cilëve më shumë se 120 fëmijë janë vrarë deri tani si pasojë e sulmeve ruse
23:28 - Zelensky thotë se më shumë se 16 mijë trupa ruse janë vrarë deri tani
23:00 - Ligji i ri i Putinit, rusët që përhapin lajme të rreme mund të përballen me burgim deri në 15 vjet
22:32 - Kush janë shtatë gjeneralët e vrarë rusë në Ukrainë
22:12 - Më shumë se 7.300 njerëz u evakuuan nga Ukraina të premten
21:26 - Rusia ka humbur kontrollin e plotë të Khersonit, sipas SHBA-së
20:49 - Disa ndërtesa të goditura nga raketat ruse në Vinnytsia, pretendon Forca Ajrore e Ukrainës
19:00 - SHBA: Rusia ka ndaluar lëvizjet tokësore drejt Kievit dhe ka lëvizur në pozicione mbrojtëse
18:19 - Spotify pezullon shërbimin në Rusi
17:59 - Zvicra vendos edhe më shumë sanksione ndaj Rusisë
17:33 - Rusia publikon të dhënat për vdekjen e ushtarëve, për herë të parë nga 2 marsi
16:53 - Komandanti i brigadës ruse u vra nga trupat e veta, pretendojnë zyrtarët perëndimorë
16:48 - Cilat shtete po blejnë ende naftë ruse?
16:39 - Orban refuzon kërkesat e Zelenskyt, s’ka ndihmë ushtarake për Ukrainë e as sanksione për Rusinë
14:51 - Të paktën 1081 civilë u vranë në Ukrainë
Zyra për të drejta e Kombeve të Bashkuara ka thënë të premten se tashmë është e konfirmuar se 1081 civilë kanë vdekur dhe 1707 janë lënduar në Ukrainë që kur Rusia filloi pushtimin më 24 shkurt, raporton Reuters. Shifra reale besohet të jetë shumë më e lartë.
Herët të premten, video u publikuan që tregonin rusët që bombardonin civilët që po merrnin ndihma humanitare në Kharkiv.
SHBA-ja zyrtarisht ka akuzua forcat ruse për kryerje të krimeve të luftës dhe ka thënë se do të kërkojë përgjegjësi me çdo mjet të mundshëm.
14:34 - KB: Ka varre masive në Mariupol, një me 200 trupa
Kreu i ekipit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Ukrainë ka thënë të premten se monitoruesit kanë pranuar informacione në rritje për varre masive në qytetin e rrethuar të Mariupolit, përfshirë një me 200 trupa.
“Kemi marrë informacione në rritje për varre masive që janë atje”, ka thënë Matilda Bogner, duke shtuar se disa nga provat erdhën nga imazhet satelitore, raporton The Guardian.
Bogner ka thënë se vdekjet e civilëve në Ukrainë kanë tejkaluar shifrën 1035 dhe se ekipi i KB-së po hetonte sulmet pa dallim nga të dyja palët. KB-ja ka thënë se ka pranuar pretendime që rusët po vrasin civilët në vetura gjatë evakuimeve dhe ka raste të dokumentuara të zhdukjeve të detyruara të zyrtarëve ukrainas, që duket se janë marrë peng.
14:22 - SHBA-ja dhe NATO me plan emergjent nëse Rusia sulmon territorin e aleancës, thotë Shtëpia e Bardhë
SHBA-ja dhe NATO-ja po bëjnë një plan emergjence për mundësinë nëse Rusia zgjedh të godasë territorin e NATO-s, ka thënë të premten këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
Lajmi i plotë KËTU
12:13 - Katër të vrarë nga sulmi rus në një qendër mjekësore në Kharkiv
Katër civilë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pasi sulmet ruse goditën të premten një qendër mjekësore në Kharkiv, ka bërë të ditur policia lokale, raporton BBC.
Kharkiv është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe ndodhet pranë kufirit rus në lindje.
“Sot në mëngjes, pas një bombardimi në infrastrukturën civile nga disa raketahedhës, shtatë civilë u plagosën, katër prej tyre vdiqën”, thuhet në deklaratën e policisë.
Sulmet kishin shënjestruar një qendër mjekësore në lagjen Osnovyansky të qytetit, ka bërë të ditur Policia.
Forcat ruse janë përpjekur pa sukses të rrethojnë Kharkivin, me analistët që thonë se u mungon municioni.
Korrespondenti i BBC-së, Quentin Sommerville, thotë se rezistenca e Ukrainës në qytet ka frustruar rusët, të cilët janë kthyer në sulme artilerie, duke shkatërruar lagje të tëra.
10:30 - Rreth 300 të vdekur deri tani nga sulmi në teatrin e Mariupolit
Bombardimi i teatrit në Mariupol javën e kaluar ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, sidomos pas shfaqjes së pamjeve ku shihej se jashtë teatrit ishte shkruar me shkronja të mëdha në gjuhën ruse “Fëmijë”.
Këshilli i qytetit të Mariupolit ka raportuar të premten se rreth 300 persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e këtij sulmi, raporton Sky News.
“Fatkeqësisht po e nisim ditën me këtë lajm të keq. Dëshmitarët kanë raportuar se rreth 300 njerëz kanë vdekur nga sulmi në teatër”, thuhet në njoftimin e Këshillit.
Shumë persona kanë mbetur të ngujuar për ditë të tëra në bodrumin e teatrit, ku po strehoheshin sipas llogaritjeve mijëra njerëz.
Ata nuk mund të evakuoheshin për shkak të sulmeve të vazhdueshme ruse në këtë qytet, i cili deri tani është më i shkatërruari nga lufta në Ukrainë.
09:50 - Ukraina thotë se 135 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës ka thënë se 135 fëmijë janë vrarë dhe 184 janë plagosur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, raporton të premten BBC.
Duke dhënë një përditësim mbi viktimat e fundit, zyrtarët thonë se dy fëmijë u vranë gjatë luftimeve të ashpra në qytetin Rubizhne, rajoni i Luhanskut. Dhe të enjten, dy fëmijë të moshës gjashtë dhe 13 vjeç u plagosën në Novomykhailivka, rajoni Donetsk, pas bombardimeve ruse.
Prokurorët shtuan se tre adoleshentë - të moshës 13, 14 dhe 15 vjeç - u hodhën në erë nga një minë në Obilne në rajonin e Zaporizhias.
08:46 - Një korridor për largimin e civilëve nga Mariupoli pritet të hapet sot
Ukraina po shpreson që të hapet një korridor humanitar nga Mariupoli të premten, për ata që mund të udhëtojnë me veturë private, raporton Reuters.
Në ditët e fundit, korridoret humanitare janë hapur në disa zona në Ukrainë, por gjithmonë është përjashtuar qyteti port i rrethuar i cili është në gjendje të rëndë për javë për shkak të bombardimeve.
08:32 - Inteligjenca britanike: Ukraina po zmbraps forcat ruse
Ministria britanike e Mbrojtjes ka publikuar njoftimin e ri të inteligjencës të premten për luftën në Ukrainë, ku ka thënë se Ukrainë ka mundur të rimarrë qytete dhe pozicione mbrojtëse në lindje të kryeqytetit, Kiev.
Ministria ka njoftuar se Ukraina po ashtu ka pasur sukses në shtyrjen e forcave ruse prapa nga toka që kishin marrë në veriperëndim të Kievit. Shtoi se në jug forcat ruse ende po tentojnë të shkojnë përpara Odesas.
Latest Defence Intelligence update on the situation in Ukraine - 25 March 2022
— Ministry of Defence ?? (@DefenceHQ) March 25, 2022
Find out more about the UK government's response: https://t.co/shZZIe6cBq
?? #StandWithUkraine ?? pic.twitter.com/gdCRYuQvvp
07:53 - Raketat ruse po dështojnë në shkallë të lartë, thonë zyrtarë amerikanë
Raketat ruse po pësojnë një shkallë dështimi deri në 60%, kanë pohuar të premten shumë zyrtarë të paidentifikuar amerikanë në një raport të Reuters.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
07:39 - Ukraina pretendon se ka shkatërruar një anije të madhe ruse
Zyrtarë ushtarakë ukrainas kanë deklaruar të enjten se kanë arritur të shkatërrojnë një anije të madhe ruse, të quajtur Saratov, në qytetin port të okupuar të Berdyanskut.
Një tjetër anije, Orsk, u shkatërrua gjithashtu dhe disa anije të tjera u dëmtuan, thanë zyrtarët ushtarakë, raporton BBC.
Në një konferencë të mëparshme, ushtria e Ukrainës pohoi se Rusia mbetet e fokusuar në pushtimin e Ukrainës jugore, në një përpjekje për të krijuar një "urë tokësore" në territorin e pushtuar të Krimesë.
Ata ende po përpiqen të kapin qytetet e Popasna, Rubizhne dhe Mariupol në jug, por deri më tani nuk kanë pasur "asnjë sukses", sipas ushtrisë ukrainase.
Në Sumy dhe Kharkiv, rusët po sulmojnë infrastrukturën civile, thuhet në raport, duke shtuar se disa forca ruse po tërhiqen pasi kanë pësuar humbje deri në 50%.
07: 23 - Zelensky - Evropës: U vonuat për ta ndaluar Rusinë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë mbrëmjen e së enjtes se Evropa ka reaguar shumë vonë për ta ndaluar pushtimin e Ukrainës.
Zelensky këtë deklaratë e ka bërë gjatë fjalimit të tij për Samitin e Këshillit Evropian që është mbajtur në Bruksel, raporton BBC.
Presidenti Zelensky gjatë fjalimit të tij e përshkroi shkatërrimin që Rusia i ka shkaktuar vendit të tij derisa ka falënderuar edhe Evropën për bashkimin në mbështetjen e saj për Ukrainën.
“Ju keni aplikuar sanksione, ju jemi mirënjohës. KëtA janë hapa të fuqishëm. Por ishte pak vonë, kishte një shans”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse do të kishte pasur sanksione parandaluese, ndoshta Rusia nuk do të kishte shkuar në luftë.
Ai gjithashtu vuri në dukje gazsjellësin Nord Stream 2, ku sugjeroi se nëse do të ishte bllokuar më herët, "Rusia nuk do të kishte krijuar një krizë gazi".
Zelensky më pas iu lut vendeve fqinje që të miratojnë kërkesën e Ukrainës për t'u bashkuar me BE-në.
"Këtu ju kërkoj - mos u vononi", ka deklaruar Zelensky.
Në javët e fundit Zelensky ka mbajtur shumë fjalime në parlamentet në mbarë botën, dhe ai nuk ka pasur frikë të qortojë Perëndimin për atë që ai e sheh si dështimin e tij për të ofruar mbështetje të mjaftueshme.