Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Macroni takohet me kryetarët e qyteteve të goditura nga dhuna

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka mbajtur të martën takime me kryetarët e 220 qyteteve të vendit, pas trazirave të dhunshme që zgjatën për gjashtë net radhazi, si pasojë e vrasjes nga policia e një 17-vjeçari në periferi të Parisit.

Që nga nisja e trazirave, gjithsej 99 bashki janë përballur me sulme gjatë protestave, përfshirë ato në shkolla, stacione policore dhe objekte të tjera institucionesh publike, njoftuan nga Ministria e Brendshme.

Të hënën turmat u mblodhën në bashkitë e gjithë Francës në shenjë solidariteti me qeveritë lokale që ishin në shënjestër.

Trazirat u nxitën nga një reagim, kryesisht prej adoleshentëve, kundër shtetit francez për të cilin shumë të rinj me rrënjë emigrante thonë se po i diskriminon në mënyrë rutinore.

Mosha mesatare e 3 mijë e 354 personave të arrestuar gjatë javës së shkuar ishte 17-vjeçare, bëri të ditur ministri i Brendshëm.