Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trazirat në Francë lehtësohen, pritet takim mes kryebashkiakëve

Trazirat në Francë duket se po qetësohen, pas pesë ditësh protesta të dhunshme si kundërpërgjigje kundër të shtënave ndaj adoleshentit Nahel, i cili u qëllua pas ndalimit nga policia e trafikut.

Më shumë se 150 persona u arrestuan të dielën mbrëma, krahasuar me më shumë se 700 një natë më parë. Ditët e fundit ka pasur thirrje të shumta për ndalimin e dhunës, përfshirë edhe nga familja e adoleshentit të vrarë.

Kryetarët e bashkive kanë bërë thirrje që njerëzit të mblidhen jashtë bashkive të hënën për të protestuar kundër dhunës dhe plaçkitjes.

Në Nanterre, vendlindja e Nahelit, kryebashkiaku Patrick Jarry ka theksuar se ishte i lumtur që dhuna po ndalonte, porse shtoi se “nuk duhet të harrohet incidenti që ndezi këtë situatë dhe nevojën e vazhdueshme për drejtësi”.

Mbrëmë u dogjën 297 makina krahasuar me 1900 të enjten e javës që shkoi. Ndërsa 34 ndërtesa u dëmtuan ose u dogjën në krahasim me më shumë se 500 të enjten.

Të martën presidenti francez, Emmanuel Macron, do të takohet me kryetarët e 220 zonave komunale që janë prekur nga dhuna.