Në natën e katërt rresht kanë vazhduar trazirat në Francë pas vrasjes së adoleshentit nga policia e trafikut. Edhe pas angazhimit të më shumë se 45 mijë policëve, autoritetet nuk kanë mundur të ndalin dhunën nëpër rrugët e qyteteve franceze, teksa presidenti Emmanuel Macron ka fajësuar edhe rrjetet sociale për nxitjen e dhunës nga protestuesit
Trazirat nëpër qytetet e Francës kanë vazhduar në natën e katërt me radhë përkundër angazhimit të madh të forcave policore. Dhjetëra automjete dhe dyqane janë djegur teksa të shtunën është varrosur 17-vjeçari që u vra nga policia. Vrasja e tij ka nxitur trazirat e mëdha nëpër Francë.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar të shtunën se më shumë se 1 mijë e 300 persona janë arrestuar. Ndërkaq edhe pse janë angazhuar më shumë se 45 mijë policë, trazirat kanë vazhduar.
Nuk ka pasur sukses as kërkesa e presidentit Emmanuel Macron ndaj prindërve që të mbajnë në shtëpi fëmijët. Më shumë se 2 mijë e 500 zjarre janë shkaktuar nga protestuesit, kanë njoftuar autoritetet franceze.
Qeveria ka njoftuar se trazirat kanë nisur të shuhen falë masave të ashpra të sigurisë. Të premten, autoritetet kanë ndalur gjithë transportin publik në Francë.
Reagimi i ashpër ndaj vrasjes së adoleshentit me prejardhje algjeriane ka kthyer vëmendjen te varfëria, diskriminimi, papunësia dhe mbytja e shpresës në lagjet franceze, në të cilat kryesisht jetojnë ata me prejardhje nga ish-kolonitë franceze.
Përpjekje për të qetësuar protestuesit ka bërë edhe kapiteni i kombëtares franceze, Kylian Mbappe, idol i shumë të rinjve, sidomos nga lagjet e varfra.
Ndërkaq Macroni nuk ka deklaruar gjendjen emergjente, me të cilën do të mund të përdorej forca për të shtypur trazirat, ashtu siç veproi qeveria në rrethana të ngjashme në vitin 2005, kur dy djem aksidentalisht humbën jetën gjatë ndjekjes nga policia.
Trazirat kanë shtuar presionin ndaj Macronit, i cili ka fajësuar rrjetet sociale për nxitjen e madhe të dhunës nëpër rrugët e qyteteve franceze.
Prokuroria në qytetin Nanterre, ku ndodhi vrasja e adoleshentit, ka kërkuar që polici të mbahet në paraburgim. Sipas hetimeve të para, Ministria ka deklaruar se kushtet për përdorim të ligjshëm të armës nuk ishin respektuar nga polici.
Tre persona ishin në automjet kur policia tentoi t’i ndalte të martën. Viktima kishte arritur të shmangte ndaljen nga policia kur nuk e respektoi dritën e kuqe në semafor. Ai më vonë kishte ngecur në kolonë. Të dy policët e përfshirë kanë nxjerrë revolet e tyre me qëllim që Nahel M të mos ikte përsëri. Polici ka qëlluar vetëm një plumb. Është arsyetuar se donte të parandalonte largimin e automjetet sepse frikësohej se do të godiste dikë.
Policia fillimisht është arsyetuar se adoleshenti tentoi t’i godiste ata me automjet, mirëpo në videot e publikuara shihet automjet i ndalur, para se njëri nga policët të qëllonte në drejtim të tij. Adoleshenti Nahel M është personi i dytë që vritet gjatë ndalimit nga policia e trafikut sivjet në Francë. Vitin e kaluar 13 persona vdiqën në të njëjtat rrethana dhe ishte numër rekord për raste të tilla.
Anulimi i vizitës
Dhuna në Francë ka dëmtuar profilin diplomatik të Macronit. Zyra e presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë të shtunën se Macroni e ka telefonuar me kërkesën për të shtyrë vizitën e tij të parë nga një president francez në Gjermani në 23 vjetët e fundit. Macroni do të nisej në Gjermani të dielën dhe do të vizitonte dy qytete gjermane. Zyra e Macronit ka sqaruar se presidenti ka folur me Steinmeierin dhe “për shkak të situatës së brendshme”, presidenti ka kërkuar që të qëndrojë në Francë gjatë ditëve të ardhshme”.
Për shkak të rëndësisë së madhe të marrëdhënies franko-gjermane në skenën e politikës evropiane, anulimi i vizitës shtetërore ishte shenjë e qartë për madhësinë e trazirave në Francë. Në fillim të vitit, Mbreti Charlesi III anuloi vizitën e tij të parë shtetërore si monark britanik, për shkak të protestave kundër planit të Macronit për të ngritur moshën e pensionimit.
Varrimi i adoleshentit
Ceremonia e varrimit të Nahelit nisi me hapjen e arkivolit për ta parë kufomën familja dhe miqtë e tij. Ai u varros të shtunën pasdite në Nanterre.
Në hyrje të varrezave, qindra njerëz përkujtuan Nahelin. Turma ka mbajtur kasketën e bardhë, ndërkaq mediave iu ndalua përcjellja e varrimit të tij.
Ata duartrokitën kur nëna e Nahelit, Mounia M, e veshur në të bardha, eci drejt varrit të të birit. Në fillim të javës ajo kishte shprehur mllefin ndaj policit që vrau të birin, por jo edhe ndaj policisë në përgjithësi.
“Ai pa një fëmijë me dukje arabe dhe donte t’ia merrte jetën. Një polic nuk mundet të kapë revolen dhe të qëllojë në fëmijë dhe të marrë jetën e tyre”, kishte thënë ajo në një intervistë për France 5.
Raca është temë e ndjeshme në Francë. Familja e viktimës është me prejardhje nga Algjeria.
“Rasti i Nahelit është shkrepësja që ka ndezur benzinën. Shumë të rinj të pashpresë po prisnin për kësi rasti. Nuk kemi shtëpi dhe punë, pagat tona janë shumë të ulëta”, ka thënë Samba Seck, punëtor i transportit në lagjen “Clichy-sous-Bois”.
Kjo lagje ishte epiqendër e trazirave të vitit 2005 që lëkundën Francën. Trazirat nisën pas vdekjes së dy adoleshentëve nga energjia elektrike teksa po fshiheshin në stacionin energjetik shkaku i policisë që po i ndiqte.
Si shumë banorë të Clichyt, Seck ka thënë se dhuna ka cak lagjen. Edhe në këto trazira shumë automjete e dyqane janë djegur në këtë lagje.
“Të rinjtë po thyejnë gjithçka, por ne edhe ashtu jemi të varfër, nuk kemi asgjë”, ka thënë ai, duke shtuar se “të rinjtë kanë frikë se do të vdesin në duart e policisë”.
Trazirat po ndodhin vetëm një vit para se Parisi dhe qytetet e tjera franceze të jenë nikoqire të 10 mijë e 500 olimpistëve dhe miliona vizitorëve në Lojërat Olimpike 2024. Komiteti organizues i “Paris 2024” ka deklaruar se është duke monitoruar situatën dhe se përgatitjet për Olimpiadë po vazhdojnë.
Përktheu: Gent Mehmeti