Botë

Lufta e Gazës duhet të zgjidhet deri në fund të vitit, thotë i dërguari i Trumpit

Steve Witkoff

Foto: Associated Press

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, ka thënë të martën se presidenti Donald Trump do të kryesojë një takim mbi Gazën në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën dhe ka shtuar se Uashingtoni pret që lufta e Izraelit në territorin palestinez të zgjidhet deri në fund të vitit.

"Ne mendojmë se do ta zgjidhim këtë në një mënyrë ose në një tjetër, sigurisht para fundit të këtij viti”, ka thënë Witkoff.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka thënë veçmas se sekretari i Shtetit, Marco Rubio do të takohet me ministrin e Jashtëm Izraelit, Gideon Saar në Uashington të mërkurën.

Trumpi kishte premtuar një fund të shpejtë të luftës në Gazë gjatë fushatë zgjedhore të vitit 2024 në SHBA dhe pas marrjes së detyrës në janar, por pothuajse shtatë muaj pas fillimit të mandatit të tij, ky qëllim i deklaruar mbetet i pakapshëm.

Mandati i Trumpit ka filluar me një armëpushim që zgjati dy muaj dhe përfundoi kur sulmet izraelite vranë rreth 400 palestinezë më 18 mars. Në javët e fundit, imazhet e palestinezëve të uritur në Gaza, përfshirë fëmijë, kanë tronditur botën dhe kanë nxitur kritika ndaj Izraelit për përkeqësimin e kushteve.

Witkoff ka thënë se Izraeli është i hapur për të vazhduar diskutimet me grupin militant palestinez Hamas. Ai ka shtuar se edhe Hamasi kishte sinjalizuar se ishte i hapur për një zgjidhje.

Sulmi shkatërrues i aleatit të SHBA-së, Izraelit, ndaj Gazës që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë mbi 62,000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. Ai gjithashtu ka shkaktuar një krizë urie, ka zhvendosur brenda vendit të gjithë popullsinë e Gazës dhe ka nxitur akuza për gjenocid dhe krime lufte në gjykatat ndërkombëtare, të cilat Izraeli i mohon.