Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Liderët perëndimorë kërkojnë inspektim të centralit bërthamor në Zaporizhzhia

Liderët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe të Britanisë së Madhe, bënë thirrje njëzëri për një “vizitë të shpejtë” në lokacionin e uzinës berthamore në Zaporizhzhia, të cilën forcat ruse e kanë okupuar.

Siç raportoi të hënën mediumi francez “Lemonde”, liderët thanë që ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike duhet të shkojnë në uzinën e një ndër centraleve më të mëdha të botës, me detyrë që ta inspektojnë atë.

Luftimet në afërsi të stacionit të energjisë bërthamore, që aktualisht po kontrollohet nga Rusia, mund të çojë në një katastrofë më të rëndë se ajo e Çernobilit, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është pajtuar që inspektorët e Agjencisë të udhëtojnë drejt centralit për inspektim.

Tutje, liderët e vendeve perëndimore shtuan se u pajtuan që mbështetja për Ukrainën kundër agresionit rus të jetë e qëndrueshme.

Në fillim të luftës ishte raportuar se pati rrjedhje të materialit radioaktiv për shkak të sulmit rus. Ekspertët amerikanë patën thënë se dëmtimi i centralit të Zaporizhzhias do të shkaktonte dëme të jashtëzakonshme në Ukrainë dhe jashtë saj.